
TIRANË- Gazment Bardhi do të zyrtarizojë këtë të martë bashkimin me Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha, pasi ky i fundit nga arresti i shtëpisë i hapi rrugën ndryshimeve statutore që e dërgojnë Bardhin dhe mbështetësit e tij në kupolën drejtuese të partisë pa iu nënshtruar votimit të drejtëpërdrejtë në Këshillin Kombëtar. Kështu ndryshime pritet që të ketë në dy nene të statutit, atë 47 dhe 51, ku përcaktohet përbërja e Kryesisë dhe postet e nënkryetarëve.
Gazment Bardhi nga kjo e martë pritet të jetë nënkryetar i PD-së, së bashku me Agron Gjekmarkajn, i cili kalon automatikisht për shkak të postit që mban, atë të nënkryetarit të Kuvendit. Në nenin 47 të statutit të PD, theksohet në Kryesinë e partisë janë kryetari, dy nënkryetarët dhe kreu i Këshillit Kombëtar dhe 20 anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë, kështu, tashmë në këtë nen pritet që të shtohen dhe dy nënkryetarët e rinj, duke e çuar numrin në 4. Ndërkohë do të shtohen emrat e nënkryetarit të grupit të PD-së dhe nënkryetarëve të komisioneve parlamentare.
Kështu në Kryesinë e PD, përpos Gjekmarkajt e Bardhit, pritet të kalojnë emra si Ervin Salianji, Dhurata Çupi, Zheni Gjergji, Tomorr Alizoti dhe Ferdinand Xhaferraj.
“Mister”, mbetet emri i Jorida Tabakut. Nuk dihet nëse kjo e fundit doi të pranojë të katapultohet në Kryesinë e PD. Për shkak të postit që mban si kryetare e Komisonit të Integrimit Europian, Tabaku kalon automatikisht në Kryesi me ndryshimet e reja. Deputetja ka mbajtur një profil të ulët sa i përket përplasjeve në PD dhe pse së fundmi ka dhënë sinjale bashkimi me grupin e Berishës dhe Bardhit.
Emrat e rinj që priten ti shtohen Kryesisë nuk do të kalojnë me votim të fshehtë siç e parashikon statuti. Në mbledhjen që pritet që të fillojë në orën 16:30, anëtarët e Këshillit Kombëtar do të votojnë vetëm ndryshimet në statut dhe jo emrat e përveçëm. Ndërkohë para mbledhjes së Këshillit Kombëtar, do të mblidhet Kryesia, e cila dhe do të zyrtarizojë ndryshimet…por njëkohëshit dhe bashikimin final të Gazment Bardhit me Sali Berishën./ZËRI