Politikë

Sot pritet të kalojë amnistia penale pas marrëveshjes mes PS-së dhe Rithemelimit, Basha: Pazar

Për kalimin e amnistisë në Kuvend duhen të paktën 84 vota

E.K
Sot pritet të kalojë amnistia penale pas marrëveshjes mes
Basha Bardhi

TIRANË- Kjo e enjte pritet që të risjellë tensionet në sallën e Kuvendit, me Lulzim Bashën që akuzon për pazar mes socialistëve dhe grupit të Rithemelimit. Shkak për këtë është bërë dakordësia në parim që palët kanë arritur gjatë ditës së djeshme për të votuar në Kuvend Aministinë Penale, e cila ende nuk është zyrtarisht pjesë e rendit të ditës.

Sipas Bashës palët kanë rënë dakord, që të përfitojnë ulje dënimi dhe personat e hetuar nga SPAK dhe dënuar nga GJKKO për korrupsion. Ndërkohë që sipas Bashës nga aministia përjashtohet te gjithë protestuesit kundër korupsionit dhe kriminalizimit të shtetit, gjë që sipas Bardhit nuk është e vërtetë, pasi lirimi i protestuesve dhe përjashtimi nga amnistia i të dënuarve nga GJKKO, ishin dy kushtet e vendosura nga opozita për votimin e amnistisë.

“ULET DËNIMI PËR TË KORRUPTUARIT E DËNUAR NGA SPAK! PËRJASHTOHEN NGA AMNISTIA PROTESTUESIT KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMINALIZIMIT TË SHTETIT! Shihni për cilat vepra ulet dënimi:

Veprat penale që përfitojnë ulje dënimi 1.5 vite për meshkujt dhe 2 vite per femrat e dënuara me vendim të formës së prerë:

Neni 244 - ​Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike

Neni 244/a -​Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë

Neni 245 - ​Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë

Neni 245/1 -​Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike

Neni 257/a-​Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë…

Neni 258-​Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike

Neni 259-​Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike

Neni 259/a-​Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë,

Neni 260-​Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë

Neni 312-​Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit

Neni 319-​Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë dhe pikat pasuese të tij.

Neni 319/a-​Korrupsioni aktiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare

Neni 319/b-​Korrupsioni aktiv i arbitrit vendas dhe të huaj

Neni 319/c-​Korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja

Neni 319/ç-​Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë

Neni 319/d-​Korrupsioni pasiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare

Neni 319/dh-Korrupsioni pasiv i arbitrit vendas dhe të huaj

Neni 319/e-​Korrupsioni pasiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja

Neni 328 - ​Korrupsioni aktiv në zgjedhje

Neni 328/a -​Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore

Përjashtohen nga amnistia protestuesit që kanë protestuar kundër korrupsionit qeveritar dhe kriminalizimit të shtetit”, shkruan Basha në postimin e tij.

Opozita kërkoi dje që që të vendoset një klauzolë ligjore që nga “Amnistia”, qoftë në falje apo ulje dënimi, të mos përfitojë asnjë person që është dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Kemi propozuar amendamentin me katër nene për shqyrtim në seancë plenare, me miratimin apo aprovimin e të cilave do të votojmë pro amnistisë penale për të burgosurit”, tha demokrati Gazmend Bardhi në një deklaratë gjatë ditës së djeshme.

Burime bëjnë me dije për ZËRIN se amendamenti “Bardhi” do të pranohet, duke prodhuar në këtë mënyrë edhe numrin e duhur të votave për miratimin e amnistisë nga e cila përfitojnë rreth 700 të burgosur dhe 2 mbi dy mijë persona në shërbim prove. Për kalimin e amninistisë duhen të paktën 84 vota që socialistët nuk i kanë, dhe për këtë shkak iu duhej një marrëveshje me një prej grupimeve të Rithemelimit.

Kjo dakordësi është në vijim të marrëveshjes që dy palët kanë arritur më herët dhe për ngritjen e Komisioneve Hetimore Parlamentare, që kthyen në normalitet edhe sjelljen e opozitës në Kuvend, që mbahej i bllokuar që nga muaji Tetor i vitit të kaluar.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB