Politikë

S'kishte deklaruar dënimin politik gjatë diktaturës, GJKKO pushon çështjen ndaj kryebashkiakut të Hasit

Gjykata u shpreh se dënimet politike të dhëna gjatë regjimit komunist konsiderohen inekzistente për legjislacionin aktual dhe se ligji i vitit 1991 nuk ka vetëm efekte ligjore, por edhe morale.

Redaksia Zëri
S'kishte deklaruar dënimin politik gjatë diktaturës, GJKKO
Miftar Dauti

TIRANË- Gjyqtarja Rudina Palloi vendosi të pushojë çështjen ndaj kryebashkiakut të Hasit, Miftar Dauti, që u denoncua se nuk shkruar në formularët e dekriminalizimit një dënim të dhënë gjatë diktaturës, raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha. Gjykata u shpreh se dënimet politike të dhëna gjatë regjimit komunist konsiderohen inekzistente për legjislacionin aktual dhe se ligji i vitit 1991 nuk ka vetëm efekte ligjore, por edhe morale.

Kryebashkiaku, i cili gjatë komunizmit ishte internuar bashkë me familjen në Berat, u largua nga qendra e internimit dhe kjo solli arrestimin e tij dhe dënimin me katër muaj burg në repartin e Martaneshit. Prokurori i çështjes, Elvin Gokaj, më herët kujtoi një ligj të vitit 1991 për pafajësinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe përndjekurve politikë, ku thuhet se “janë të pafajshëm dhe quhen të padënuar për efekte morale, politike dhe ekonomike të gjithë personat e dënuar për krime politike”.

Dauti tregoi se ishte internuar në moshën 18-vjeçare familjarisht në vitin 1986, kohë gjatë të cilës ai i shkroi 19 letra Kuvendit Popullor me pyetjen: “Pse isha internuar?”. Dauti shprehej më tej para prokurorit se, në kushtet kur nuk mori përgjigje, vendosi të refuzojë zgjedhjet e përgjithshme të kohës në vitin 1987. Ndaj këtij veprimi, tha më tej kryebashkiaku, iu ngrit akuza e largimit nga vendi i internimit, sepse mosvotimi nuk parashikohej si krim në atë kohë.

Më herët, prokurori kreu edhe kërkime të tjera duke pyetur përmes Interpolit nëse ky shtetas kishte apo jo dënime të tjera, prej nga ku ka marrë përgjigjen se 58-vjeçari nuk ka asnjë rekord kriminal./Top Channel

Poll

MOS HUMB