Politikë

Kontrata e lobimit të PD në SHBA, Berisha: Firma në dokument vetëm për shërbimin që merr partia

Sipas tij, PD nuk po bën lobim në SHBA por po merr një shërbim nga fondacioni.

k.m.
Kontrata e lobimit të PD në SHBA, Berisha: Firma në dokument
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli sërish sot për kontratën e lobimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila po hetohet nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas tij, PD nuk po bën lobim në SHBA por po merr një shërbim nga fondacioni. I pyetur nëse afati i kontratës do të zgjatej edhe përtej zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Berisha u shpreh se ende nuk është marrë asnjë vendim.

"Tani, ajo nuk është mes PD-së dhe kompanisë. Ajo është midis fondacionit dhe kjo varet nga fondacioni. Ne jemi transparent dhe njoftojmë çdo gjë. Vetë kompania është supertransparente. Ka një uebsite ku publikon çdo dokument. Flamur Noka ka firmosur se pranon shërbimin. Kontrata jo midis dhe kompanisë, është midis fondacionit dhe kompanisë. Përsa kohë që nuk ka marrë një vendim do të ju qartësoj. Ky është një proces në vazhdim, por varet dhe nga fondacioni edhe nga të tjera,"-tha Berisha.

Kontrata e lobimit e Partisë Demokratike në SHBA është firmosur më prill nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka është bërë me kompaninë amerikane "Continental Strategy". Vlera e kontratës arrin në 6 milionë dollarë, nga të cilat 3 muajt e parë 750 mijë dollarë janë paguar tashmë. Kompania merr përsipër t’i ofrojë PD-së shërbime të marrëdhënieve me qeverinë në lidhje me këtë fushë shërbimesh si krijimi i marrëdhënieve me aktorë kyç në degët ekzekutive dhe legjislative për të lehtësuar zhvillimin e politikave dhe objektivave të saj elektoral dhe qeverisës./ZËRI

Poll

MOS HUMB