
TIRANË-Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili kërkoi lirinë. Por edhe kjo përpjekje e tij u rrëzua. Kjo është e disata herë që Gjykata hedh poshtë kërkesën e ish-kryeministrit dhe dhëndrit të tij. Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar.
Njoftimi i Gjykatës:
Kolegji Penal, pasi shqyrtoi ne teresi dhe ne themel te gjitha shkaqet e parashtruara ne rekursin e paraqitur nga Z. Sali Berisha, vendosi: Lenien ne fuqi te vendimit nr. 15 date 25.01.2024, te Gjykates se Apelit te Posaçëm per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për Balkanweb se GJL vendosi që të lërë në fuqi masën e sigurisë të vendosur nga GJKKO. Berisha ka “trokitur” në të gjitha shkallët e gjyqësorit, duke thënë se nuk ka kushte ligjore, që të mbahet në këto kushte. Sipas mbrojtjes, Berisha nuk ka mundësi që të ikë apo të prishë provat.
Berisha ndodhet nën masën e arrestit të shtëpisë që nga data 30 Dhjetor e vitit të kaluar. Ish-kryeministri dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv, duke favorizuar dhëndrin në procedurat e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, përmes nxjerrjes së akteve nënligjore gjatë kohës që qeveriste. Berishës fillimisht iu caktua masa e detyrimit për t’u paraqitur, por ai refuzoi t'i bindej urdhrit dhe Prokurorisë së Posaçme i lindi e drejta ta ndryshojë masën në arrest shtëpie./ZËRI