
TIRANË- Është diskutuar sot në Komisionin e Ligjeve, projektligji për sistemin e ri të adresave në vend, i cili synon që çdo banesë, ndërtesë apo biznes, të ketë një kod unik, edhe në google maps. Ministri i brendshëm Taulant Balla, ka paralajmëruar masa administrative, për të gjithë ata që nuk do të deklarojnë adresat, përfshirë edhe bizneset.
“Çdo banesë e ndërtesë, biznes e njësi do ketë një kod unik identifikues i papërsëritshëm. Kjo do të zgjidhë përfundimisht problemet me ofrimin e shërbimeve tek qytetarët. Mundëson mbërritjen më lehtë në adresë. Kjo ndihmon edhe turistët. Projektligji, duke pajisur me këtë kod unik çdo apartament, ndihmon edhe Air BNB. Adresari.mv.gov.al do të jetë i gatshëm në javët e muajt në vijim, është duke u pasuruar momentalisht.
Po punojmë me google dhe kompani të tjera për të aksesuar dhe ofruar kodin unik që mund të vendoset në google maps, menjëherë të drejtohesh për në banesën hotelin ku një qytetar apo i huaj ka destinacion për të mbërritur.
Ftoj qytetarët të frekuentojnë adresarin online dhe të përfitojnë nga shërbimet që ofrohen. Nëse kemi qenë një nga vendet më problematike në sistemin e adresave, sot pretendojmë të jemi vendi me sistemin më të mirë. Është një arritje e rëndësishme edhe që synohet të përmirësohet shërbimi postar”, tha Balla.
Ndërkohë ministri socialist, u pyet nga deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, nëse ligji i ri për adresat do të ndikojë te listat e zgjedhësve, për vitin e ardhshëm.
Oerd Bylykbashi ka pyetur ministrin e Brendshëm Taulant Balla për specifikat e projektligjit, dhe sa do të ndikojë kjo në listat zgjedhore. 2025 është një vit zgjedhor ku do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Balla u shpreh se kjo nuk do të ndikojë aspak në listat e zgjedhësve.
Bylykbashi: Çfarë do të ndodhë me adresat aktuale të caktuar shtetasve mbi projektin 2016. Një numër i madh i qytetarëve i kanë raportuar, madje kishte ndëshkime për ata që nuk e deklaronin brenda një afati të caktuar. Çdo të ndodhë me këto adresa? Projekti i 2016 vlen më? Apo bëhet fjalë vetëm për një plotësim? Shtetasit do të dijnë adresat ekzakte apo kodin unik?
Balla: Ligji nuk ka asnjë lidhje apo ndërthurje me listat e zgjedhësve.
/ZËRI