TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka planifikuar të zhvillojë një vizitë zyrtare të hënën në Vjenë të Austrisë, në një kohë kur Shqipëria po përballet me protesta kundër qeverisë, sipas "Kurier". E përditshmja e njohur austriake i kushton vëmendje vizitës së kreut të qeverisë shqiptare, i cili pritet të pritet me nderime ushtarake nga kancelari austriak Christian Stocker.
Në artikull, gazeta ndalet edhe te protestat në Shqipëri që po vijojnë prej muajsh. “Kurier” e përshkruan vizitën në Austri si një “pushim të mirëpritur” për kryeministrin shqiptar nga zhvillimet dhe tensionet në vend.
“Për kryeministrin shqiptar, vizita në Vjenë të hënën do të jetë një pushim i mirëpritur nga protestat që prej muajsh ziejnë në vendin e tij. Për më tepër, një vizitë e shkurtër në Austri është gjithmonë si vizita e mirësjelljes te i afërmi i pasur - Austria është investitori i gjashtë më i madh i huaj në vend, në 2025 mes dy vendeve u tregtua më shumë se kurrë më parë.
Kompani si Verbund, Strabag, Raiffeisen Bank, Vienna Insurance Group apo CINEPLEXX janë aktive aty. Vitet e fundit vendi ka lulëzuar edhe si destinacion turistik, edhe për austriakët. Pikërisht për shkak të lidhjeve të tij ekonomike, Austria është një nga mbështetësit më të zëshëm për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, të cilin Shqipëria, kandidate për anëtarësim që prej qershorit 2014, e synon deri në 2030. Në letër, Tirana pas Malit të Zi ka shanset më të mira për këtë.
Ndërsa Edi Rama do të pritet me nderime ushtarake nga kancelari federal Christian Stocker (ÖVP), protestuesit në Shqipëri kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit që qeveris prej 13 vitesh. Të ashtuquajturat "Protestat Flamingo", të cilat fillimisht ishin kundër një projekti të planifikuar turistik luksoz, në të cilin thuhet se është i përfshirë edhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, në një zonë shumimi për flamingot, janë shndërruar në një zjarr masiv kundër qeverisë - fjalë për fjalë,” shkruan gazeta.
Megjithatë, nuk dihet nëse kryeministri Edi Rama do ta realizojë vizitën zyrtare në Austri. Mbetet për t'u parë nëse hvillimet e fundit, me protestat që vijojnë prej pesë ditësh mund të ndikojnë në axhendën e kryeministrit./ZËRI