
SHBA-David J. Kostelancik i nominuar nga presidenti Biden për ambasador në Shqipëri duhet të presë edhe për një kohë të pacaktuar për të marrë miratimin nga senati i SHBA. Në senatin amerikan dy ditë më parë senatori Jeanne Shaheen nga Hampshire paraqiti një mocion mbështetës për ta miratur këtë kandidaturë.
“Për më shumë se 35 vite zoti David J. Kostelancik ka shërbyer si një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm dhe është një kandidat me shumë kualitete në të përfaqësuarin e SHBA në vendin aleat si Shqipëria. Ai ka shërbyer më parë në Shqipëri dhe vende të tjera. Është mëse e qartë se kemi një kandidat tejet të kualifikuar për të shërbyer si ambasador në Shqipëri. Mund tu them se sot Kina dhe Rusia kanë ambasadorët e tyre në Shqipëri dhe tani është detyrë e senatit të vendosë. Ju ftoj për konsensus në miratimin e kësaj kandidature pa ndërhyrje dhe pa debat për ambasador i SHBA në Shqipëri”, tha Jeanne Shaheen, senatore nga Hampshire.
Por kolegu i saj Mike Lee senator nga Utah e kundërshtoi kandidaturën e Kostelancik, duke u shprehur se kandidati për ambasador në Shqipëri ka provuar se nuk mund të përmbush zbatimin e detyrave në mbrojtjes të interesave të SHBA. Sipas Lee, Kostelancik u përfshi në politikën e brendëshme hungareze dhe sulmoi lirinë e medias.
“Zoti David J. Kostelancik ka provuar se nuk mund të përmbush zbatimin e detyrave në mbrojtjes të interesave të SHBA. Performanca e tij në Hungari si i dërguar me punë duhet ta diskualifikojë në pasjen e një mandati diplomatik. Ai u përfshi në politikën e brendëshme hungareze. Sulmoi lirinë e medias dhe u përfshi në aktivizëm social. Ai dëmtoi marëdhëniet me një aleat të rëndësishëm tonin. Administrata Biden e pati të gjithë mundësinë të na sillte një emër tjetër si të nominuar kur vitin e shkuar kandidatura e Kostelancik u kthye nga senati”, u shpreh Mike Lee senato Utah.
Jeanne Shaheen theksoi se vonesat në emërimin e ambasadorëve janë shqetësuese e me pasoja për sigurinë kombëtare. Për mungesë kuorumi mocioni i saj nuk u hodh për votim duke krijuar një tjetër vonesë për DASH në sjelljen e një ambasadori në Shqipëri.
David Kostelancik, shërben aktualisht si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Gjeneralit Mark Milley. Ai ka shërbyer më herët si zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në Ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë. Kostelancik ka shërbyer edhe më parë në Shqipëri në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e re të SHBA-së në Tiranë. Para emërimit të tij si ambasador, ai shërbeu si Këshilltar për Politikën e Jashtme të Shefit të Shtabit, Gjeneral Mark Milley. Detyra të tjera ku Kostelancik është përfshirë janë Misioni i SHBA në OSBE dhe Misioni i SHBA në NATO, duke u fokusuar dhe në bashkëpunimin e sigurisë me Rusinë, Ambasadën e SHBA në Shqipëri dhe Ambasadën e SHBA në Turqi./ZËRI