
TIRANË- 11 ditë përpara Samitit të Liderve të Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë në datën 16 Tetor, kryeministri Rama njofton se po bëhen përgatitjet e fundit, për një eveniment të rëndësishëm, që do të sjellë në vendin tonë dhe presidentin francez Macron dhe kancelarin german Scholz. Po ashtu në takimin që mbahet në Tiranë do të jetë dhe Presidentja e Komisionit Europian.
“Jemi në përgatitjet e fundit të një tjetër evenimenti të madh ndërkombëtar për Shqipërinë, Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit, i cili do të zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së, në Tiranë, me pjesëmarrjen e 6 kryeministrave të rajonit, ku kanë konfirmuar pjesëmarrjen Presidenti i Francës dhe Kancelari i Gjermanisë, Presidentja e Komisionit Europian, si edhe një sërë kryeministrash të vendeve anëtare të Bashkimit Europian”, shkruan Rama në postimin e tij në rrjetet sociale.
Samiti i 16 Tetorit që mbahet mes liderve të procesit të Berlinit është i pari që nuk mbahet në një vend të BE-së. Samiti i fundit i Procesit të Berlinit u mbajt në nëntor 2022 në Gjermani. Gjatë këtij Samiti unënshkruan tri marrëveshje rajonale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor; Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut; Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovina, si dhe Serbisë, përkatësisht:
-Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor
-Marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor
-Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore.
Procesi i Berlinit u krijua në 2014-n si platformë për vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) për të përshpejtuar përafrimin më të ngushtë me BE-në dhe për të thelluar integrimin dhe bashkëpunimin rajonal, si faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe paqen në Ballkanin Perëndimor./Zëri.ai