
TIRANË- Edhe pse kanë kaluar dy javë nga shtyrja e projektligjit për dyfishimin e pagave të gjyqtarëve të Kushtetueses, socialistët dhe demokratët edhe sot nuk e kanë futur në rend dite në Kuvend, këtë çështje të nxehtë të diskutimeve politike që janë bërë së fundi. Një ndryshim i tillë kërkon një votim me shumicë të cilësuar, pra 84 vota, që socialistët nuk i kanë, dhe për të kaluar projektligjin do të duhet të shtrijnë dorën e bashkëpunimit te opozita.
E vetmja palë që u ofrua pro rritjes së pagave për gjyqtarët e Kushtetutës, është ai grup deputetësh që drejtohet nga Lulzim Basha, ndërkohë që Sali Berisha dhe Gazment Bardhi dolën kundër. Sipas këtyre dy të fundit, dyfishimi i pagave për gjyqtarët e Kushtetueses bëhet me qëllim blerjen e tyre nga qeveria, për vendimet që ata kanë në shqyrtim dhe do të marrin në vijim. Kritika për rritjen e pagave në një masë të tillë, ka pasur dhe brenda radhëve të socialistëve, ku deputeti Fatmir Xhafaj tha se Gjyqtarët e Kushtetueses nuk mund të paguhen me dyfishin e rrogës që marrin sot gjyqtarët e GJKKO-së.
“Një gjyqtar i Kushtetueses i bie të marrë 644 640 lekë dhe një i GJKKO që gjykon nga mëngjesi deri në darkë i bie të marrë 376 380 lekë. Nuk jam kundër rritjes së pagave, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të kenë pagë më të lartë, por personalisht nuk e kuptoj si është ndërtuar e gjithë kjo, ky përpjesëtim kaq i madh dhe fakti që këta paskan një vështirësi të madhe në punë mbi këta që gjykojnë krimin, korrupsionin që hetojnë dhe gjykojnë edhe këta për korrupsion.
Keni futur një rreth pa shumë logjikë të shëndetshme gjykoj unë personalisht. Jam pro rritjes së pagës, por brenda një logjike, dhe jam kundër shtesë së për vështirës, 58% që e keni shtuar”, deklaroi Xhafaj në Komisionin e Ligjeve, kur projektligji ishte ende në fazën e diskutimeve.

Me interes në seancën e sotme pritet pika e rendit të ditës ku do të diskutohet në lidhje me ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për kontratat e dyshimta që janë ndërmarrë në sektorin e shëndetësisë, e kërkuar nga deputetët e opozitës. Kërkesa u depozitua pak ditë më parë në Kuvend nga Albana Vokshi dhe Zheni Gjergji, dy deputetet e Komisionit të Shëndetësisë nga radhët e Partisë Demokratike.
-
Opozita kërkon komision hetimor për kontratat e shëndetësisë
26 Shtator, 12:36
Katër kontratat publike në sektorin e shëndetësisë përllogariten në vlerën totale rreth 45.5 miliardë lekë ose 450 milionë dollarë. Auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe hetimet e SPAK kanë treguar për shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, që ngrihen deri në nivelin e përgjegjësisë penale, si në fazën e përzgjedhjes dhe shpalljes së fituesit, ashtu edhe gjatë zbatimit të këtyre kontratave.
Ndërkohë në rendin e ditës nuk është futur as situata në Kosovë, për të cilën është rezervuar një seancë e posaçme të enjten e ardhshme, ku pritet të miratohet dhe rezoluta e socialistëve që dënon sulmin serb, kërkon hetim nga Serbia për sulmin, si dhe kërkon prezencë të shtuar të KFOR në komunat me shumicë serbe në veri./Zëri.ai