
BEOGRAD- Media serbe ka sqaruar mungesën e kryeministres Ana Brnabiç në foton familjare të Samitit të Procesit të Berlinit. Pas publikimit të lajmit, media pranë qeverisë, "Alo!" ka nxituar që sqarojë se çfarë ka ndodhur, madje duke e vendosur lajmin ndër më kryesorët e ditës.
DEKLARATA E QEVERISË SERBE:
Qeveria e Republikës së Serbisë është e detyruar të mohojë shkrimet e disa mediave rajonale dhe vendase, të cilat raportojnë se kryeministrja Ana Brnabiç ka refuzuar të bëjë një foto me liderët e tjerë gjatë pjesëmarrjes në samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë. Gjegjësisht, kryeministrja Ana Brnabiç mori pjesë në një fotosesion të përbashkët të të gjithë liderëve evropianë dhe rajonalë në Tiranë, siç mund ta shihni në fotot e bashkangjitura. Me këtë Serbia edhe një herë tregoi se nuk udhëheq asnjë politikë izolimi, por se është e orientuar drejt bashkëpunimit dhe zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura përmes dialogut.
Vendosja e gënjeshtrave të tilla në publik dëmton edhe reputacionin e Republikës së Serbisë dhe përfitojnë vetëm ata që nuk ia dëshirojnë të mirën vendit tonë. Pa synuar të hyjmë në arsyet e përhapjes së lajmeve të rreme, theksojmë edhe një herë se Republika e Serbisë, me vetë qëndrimin e kryeministrit në Tiranë dhe bisedimet e saj me liderët evropianë, ka konfirmuar se është e përkushtuar në mënyrë të përhershme ndaj politikës së integrimin, bashkëpunimin dhe lidhjet rajonale.
Ndërkohë që në Tiranë, u pa qartë që ajo nuk mori pjesë në foton familjare, mes liderëve të vendeve të Bashkimit Europian, e atyre të Ballkanit Perëndimor. Deri më tani mendohet se ka ndodhur për shkak të flamurit të Kosovës. Për të njëjtën arsye, rreth dy javë më parë edhe ministri i Jashtëm Ivica Daçiç nuk mori pjesë në foton familjare në ministerialin e Ministrave të Jashtëm BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. Kështu që mund të jetë një nismë e ndërmarrë nga Serbia për të bojkotuar çdo takim ky shfaqet edhe Kosova. Megjthatë deri më tani ky version po mohohet nga pala serbe./Zëri.ai