
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar pas shkresës së Stukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Posaçme që dërguan në Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme për protestën e mbajtur pak ditë më parë nga mbështetësit e kryebashkiakut Erion Veliaj. Bardhi akuzoi ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha se gënjeu në Kuvend për mosveprimin e Policisë së Shtetit ndaj protestës së organizuar gjatë gjyqit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Deputeti demokrat përmes postimit të tij në rrjetet sociale ka kërkuar shkarkimin e Hoxhës dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Prodën dhe ndjeken penale të tyre.
“Ministri i Brendshëm gënjeu dje publikisht dhe keqinformoi Kuvendin e Shqipërisë lidhur me mosveprimin e Policisë së Shtetit ndaj tentativës mafioze të drejtorëve batakçi të Bashkisë së Tiranës për të intimiduar fizikisht në krye të detyrës gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm. Ky mashtrim institucional dhe publik i Ministrit të Brendshëm provon edhe autorësinë e urdhrit politik për të penguar drejtësinë që të mbajë përgjegjës para ligjit cilido, pavarësisht statusit të tij.
Erion Veliaj nuk është mbi ligjin. Ai është mik e bashkëpunëtor i afërt i Edi Ramës, por ky i fundit nuk mund të keqpërdorë shtetin dhe Policinë e Shtetit për ti ardhur në ndihmë një personi që hetohet për korrupsion dhe pastrim parash. Edi Rama mund të zgjedhë të jetë avokat i Erion Veliajt, por këtë duhet ta bëjë privatisht, jo duke keqpërdorur institucionet e shtetit.
Mosveprimi i Policisë së Shtetit, që sipas GJKKO dhe SPAK, ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ, në krye të detyrës, nuk mund të kalojë në heshtje.
Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të shkarkohen menjëherë nga detyra dhe të ndiqen penalisht.
E kundërta, mosveprimi i Edi Ramës, e bën atë jo vetëm drejtpërdrejt përgjegjës për situatën, por është edhe një grusht shteti i pushtetit ekzekutiv ndaj pushtetit gjyqësor, duke zbatuar parimin mafioz se nëse gjykata e prokuroria dënon e heton pa leje, atëherë do jenë të vetëm e pa mbrojtjen e shtetit. Kjo nuk do të ishte thjesht e paprecedentë, por KRIMINALE”, shkruan Bardhi.
Të mërkurën, qindra mbështetës të Partisë Socialiste u mblodhën para kangjellave të Gjykatës së Posaçme duke protestuar kundër arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pjesë e tubimit ishin edhe personazhe publike. Që atë ditë opozita ngriti zërin duke kërkuar që si në protestat e tyre, edhe kësaj here të vendosej gardhi rrethues. Por mesa duket të njëjtat pretendime ka edhe GJKKO dhe SPAK. Dje në Kuvend, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se masat nuk ishin marrë për shkak se nuk ishin lajmëruar për protestë./ZËRI