Politikë

Dosja '5D'/ GJKKO kalon për gjykim çështjen për ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës

Në seancën e mëparshme Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar paraqiti akuzat ndaj të pandehurve, ndërsa mbrojtja e tyre dha qëndrim e saj.

I.F
Dosja '5D'/ GJKKO kalon për gjykim çështjen për
Mariglen Qato dhe Redi Molla

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen e kompanisë “5D”, e cila u vendos nën sekuestro nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas arrestimit të zyrtarëve të Bashkisë Tiranë që akuzohen se e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte dhe kanë përfituar 16 tendera prej saj. Pjesë e kësaj dosjes janë Redi Molla, Mariglen Qato, Taulant Tusha, Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhametllari.

GJKKO vendosi që Redi Molla dhe Mariglen Qato do të gjykohen për veprat penale të korrupsionit pasiv, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash. Ndërsa Taulant Tushe, Nestor Muhametllari, Albano Janku, Julian Zanaj dhe Enton Punaviaj do të gjykohen për veprat penale shkelje të barazisë në tendera.

Si ka arritur SPAK në këtë përfundim?

Gjatë viteve 2016-2020, kur Redi Molla ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria tregtare “Igor Elektrik”, e njëjtë me “V.A.S Konstruksion”, e njëjtë me “5D Konstruksion” ka fituar 7 tendera nga vetë UKT. Pra nga institucioni që drejtonte Molla. Në të gjitha procedurat e tenderave që janë dhënë, Redi Molla ka qenë titullari i autoritetit kontraktor dhe ka caktuar në 4 raste si anëtar të Komisionit të Vlerësimit tëOfertave Mariglen Qaton. Pra ortakun tjetër të kompanisë që të dy kishin.

Po ashtu, nga SPAK është provuar se në periudhën 2016-2018, gjatë kohës kur Mariglen Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, e njëjta kompani ka marrë 4 tendera. Në të 4 këto procedura prokurorimi Mariglen Qato ka pasur cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka marrë vendim për shpalljen e fituesit. Gjithashtu, “V.A.S Konstruksion”, e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 3 procedura të shpallura nga Bashkia Tiranë dhe 2 të tjera nga “Tirana Parking” sh.a dhe “Klubi Sportiv Tirana” sh.a.

Në mbështetje të Mollës dhe Qatos, Taulant Tusha, Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albanon Janku, si anëtarë të Komisioneve Vlerësuese kanë favorizuar kompaninë "5D", duke i dhënë avantazhe dhe privilegje përkundrejt garuesëve të tjerë. Gjithsej për 12 tendera që ka përfituar kompania “5D Konstruksion”, është përfituar shuma 192,779,188 lekë, rreth 2 milionë euro.

"Në bazë të nenit 36/1, shkronja (b) të Kodit Penal shuma monetare e mësipërme përbën produkt të veprave penale të parashikuara nga nenet 258 dhe 259 të Kodit Penal, pasi përbën “pasuri” që rrjedh dhe që është fituar në mënyrë të tërthortë nga kryerja e veprave penale, duke përfituar shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k në mënyrë të parregullt kontratat publike, si dhe duke nxjerrë më pas fitime monetare nga zbatimi i këtyre kontratave publike,"-shkruhet ndër të tjera në njoftimin e plotë të SPAK.

Por ku kanë shkuar këto para?

Sipas SPAK, paratë e përfituara nga tenderat u janë dhënë pronarëve "de facto" të kompanisë dhe janë përdorur për blerje pasurish. Ndërsa, pjesa tjetër e shumave monetare është përdorur për të financuar aktivitetin tregtar të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Ndaj në këto kushte, me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kompania "5D" është vendosur në "Sekuestro preventive".

"Në momentin e sekuestrimit vlera e aktivëve afat-gjatë të shoqërisë tregtare 148,884,372 lekë,"-thotë SPAK.

Por kompania nuk është e vetmja e sekuestruar. GJKKO ka vendosur që nën sekuestro të vendosë edhe pasurinë e paluajtshme të Redi Mollës, Mariglen Qatos dhe të afërmëve të tyre, me vlerë totale prej rreth 107,989,000 lekë. Edhe shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k dhe 24% e kuotave në shoqërinë “Mediterranean Investment Group” me vlerë totale rreth 77,273,000 lekë, është sekuestruar gjithashtu.

AKUZAT E NGRITURA NGA SPAK

Redi Molla, i akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer 7 (shtatë) herë, 4 (katër) herë e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, e kryer 5 (pesë) herë, të parashikuara nga nenet 259 e 25 (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021) dhe 257/a/2 të Kodit Penal, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287, shkronjat (a), (b), (d), e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim” sipas nenit 287, paragrafi (2) i Kodit Penal.

Mariglen Qato, i akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer 4 (katër) herë, e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuara nga nenet 259 e 25 (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021) dhe 257/a/2 të Kodit Penal, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287, shkronjat (a), (b), (d), e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim” sipas nenit 287, paragrafi (2) i Kodit Penal.

Taulant Tusha, i akuzuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021) dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer dy herë, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal.

Enton Punavija, i akuzuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021) dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer dy herë, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal.

Julian Zanaj, i akuzuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer dy herë, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal.

Albano Janku, i akuzuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021).

Nestor Muhametllari, i akuzuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer 2 (dy) herë, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 244 e 25 të Kodit Penal (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021), si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287, shkronjat (a), (b), (d), e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim” sipas nenit 287, paragrafi (2) i Kodit Penal.

Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, e akuzuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer 2 (dy) herë, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 244 e 25 të Kodit Penal (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021), si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287, shkronjat (a), (b), (d), e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim” sipas nenit 287, paragrafi (2) i Kodit Penal.

VEÇIMI I AKTEVE

Nga ana e SPAK është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve për procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion Palestra e Mundjes” dhe “Rikonstruksionin e sheshit të parkimit te Selman Stermasi”. E po ashtu është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve për 11 procedura prokurimi me autoritet kontraktor Bashkinë Tiranë. Për këtë të dytën, SPAK njofton se ka rrethana dhe fakte të reja që janë siguruar nga kompjuterat dhe telefonat celularë të sekuestruar në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.

"Është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve për sa i përket të dhënave dhe informacioneve të mbledhura gjatë hetimeve se mund të ekzistojnë edhe persona të tjerë funksionarë publikë që mundet të kenë pasur në zotërim të tërthortë shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k apo që mundet të kenë pasur interesa financiare, për persona të tjerë që mundet të jenë përdorur për marrjen e përfitimeve të parregullta, për episodet dhe faktet e lidhura me lëshimin e faturave fiktive të shitjes dhe deklarimet e shpenzimeve dhe blerjeve fiktive nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k."/ZËRI

Poll

MOS HUMB