
TIRANË- Arrestimi i Sali Berishës, arrestohet Sali Berisha, në burg apo në qeli, këto kanë qenë titujt kryesorë të lajmeve nga politika në këtë javë që po lëmë pas. Nga e hëna në të enjte, fillimisht në Këshillin e Mandateve dhe më pas në Kuvend, socialistët së bashku me Enkelejd Alibeajn, i hapën rrugën SPAK që të kërkojë arrestimin e Sali Berishës. Socialistët me Edi Ramën në krye ngritën dje kartonat, teksa përballë kishin Berishën, në dukje i dorëzuar, e madje refuzoi të bënte mbrojtjen e fundit në sallën ku është një prej deputetëve veteranë.
Pas 33 vitesh, ku i ka njohur të gjitha nivelet e pushtetit, nga president, kryeministër, lider i opozitës dhe deputet, Sali Berisha e gjen veten pa imunitet, dhe brenda 3 ditësh me gjasë nën arrest. Mosha e thyer e shpëton nga një njollë edhe më e madhe në historinë e tij politike, siç do të ishte burgosja në qeli.
Gjykata e Posaçme pritet të pranojë të martën kërkesën e SPAK për ta lënë liderin e opozitës nën masën e arrestit të shtëpisë, ndërkohë që nga java e ardhshme, më shumë se fati i Berishës që duket se është vulosur, shqetësuese mbetet e ardhmja e Partisë Demokratike.
Edhe pse u dorëhoq në vitin 2013, Sali Berisha mbetet lideri i vërtetë i partisë më të madhe të opozitës, nga drejtimi i të cilës nuk ka ndërmend që të heqë dorë, edhe sikur ta fusin në burg (deklaratë e bërë nga vetë ai). Nëse do të ishte larguar nga politika aktive, dhe nëse nuk do të shihej si dora që lëvizte Lulzim Bashën, Berisha me gjasë do e kishte shkruar ndryshe historinë e tij.
Opozita në tërësi është e përçarë, me secilin prej protagonistëve që në heshtje presin rrëzimin e Berishës, me gjasa për të marrë një rol më të rëndësishëm në parti. Njëri prej atyre që mund të identifikohet lehtë me përshkrimin e mësipërm është Gazment Bardhi!
Edhe pse prej muajsh ka nisur një bashkëpunim mes grupimit të Berishës dhe Bardhit, ky i fundit nuk u pa në asnjë prej protestave që u mbajtën kundër arrestimit të ish-kryeministrit të hënën dhe të enjten, duke mbajtur profilin e djalit të mirë që kërkojnë edhe amerikanët.
Nga ana tjetër në opozitë qëndron edhe Lulzim Basha, i cili nuk gjeti as kurajon për të qenë në seancën ku u aprovua arrestimi i Berishës, me një pretendim qesharak, që me gjasa zor se e kanë kuptuar dhe punonjësit e zyrës së shtypit që nisën deklaratën.
Berisha duket i lënë vetëm edhe nga aleati i viteve të fundit në politikë, Ilir Meta, me këtë të fundit që ka hesapet e veta për të shlyer me SPAK, ndërsa dosje të hapura ka dhe për bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi. Edhe pse Ilir Meta kërkon që të mbajë një gjuhë më diplomatike, dhe mohon ftohjen me Berishën, takimet e tyre të fundit datojnë përpara furtunës së shkaktuar nga dosjet e SPAK.
Në këto kushte kur rrethi i njerëzve të afërt me Berishën është ngushtuar, e shumica do të aprovonin symbyllazi çdo vendim të tijin, për opozitarizmin në tërësi mbetet jetike lindja e një force të re, ndoshta edhe nga vetë brenda Partisë Demokratike.
Gjatë ditës së nesërme është thirrur mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së, ku pritet të diskutohet mbi riorganizimin e partisë, dhe ndarjen e vendit në 4 rajone kryesore, ku do të bëhet dhe përqëndrimi i energjive të organizatorëve. Ftesa është e hapur dhe për Gazment Bardhin… por nëse ajo nuk do të pranohej, a do e fuste kjo PD-në edhe më shumë në një rrugë qorre, me Berishën që ka praktikisht në dorë vetëm 1/3 e deputetëve, dhe me një bazë gjithnjë e më të përçarë?
Për të faktuar këtë të fundit mjafton që të shihet pjesëmarrja në protestat për Berishën, që janë dukshëm larg atyre që do të ishin në çdo vend normal, ku do të kërkohej arrestimi i liderit të opozitës. Shumë thonë që politika është larguar nga shqetësimet e qytetarëve, të tjerë deklarojnë se njerëzit kanë nevojë për fytyra të reja, fakt mbetet që zgjedhjet e 2025 janë shumë afër, dhe në rast se opozita nuk gjen forcën të dalë përtej Berishës, me gjasa do të jemi duke shkruajtur, për rekordin historik të socialistëve, që fitojnë mandatin e katërt qeverisës. /ZËRI