
TIRANË- Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani viziton sot Shqipërinë. Fokusi i vizitës është çështja e marrëveshjes mes dy vendeve për emigrantët. Tajani gjatë qëndrimit të tij do të takohet me kryeministrin Edi Rama, si dhe pritet të zhvillojë dhe një vizitë në Shëngjin.
Vetë ministri italian lajmëroi se do të zhvillonte një vizitë në Shqipëri, ku deklaroi se do të shkojë në “vendet ku do të vendosen qendrat për emigrantët”, bazuar në marrëveshjen e nënshkruar mes dy vendeve.
Ndërkohë Gjykata Kushtetuese në 13 dhjetor mori në shqyrtim kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Bardhi-Berisha kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët afrikanë duke sjellë automatikisht pezullimin e saj deri në një vendim përfundimtar të dhënë nga gjykata. Sa i përket pezullimit nga gjykata, Tajani ka deklaruar se qeveria italiane nuk është e shqetësuar për pezullimin e ratifikimit dhe në çdo rast ekziston mirëkuptimi për “të mos ndërhyrë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare”.
E djathta italiane kritikoi Sali Berishën për qëndrimet e shprehura për marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët dhe ngritjen e një qendre për strehimin e përkohshëm të tyre në Shqipëri, derisa Italia të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil. Nuk dihet nëse Antonio Tajani do të takojë apo jo Sali Berishën, pasi ky i fundit kishte premtuar që nuk do të protestonte dhe as ta çonte në Gjykatë Kushtetuese.

Rama takon Tajanin: Gati për firmosjen e marrëveshjes të pensioneve të shqiptarëve në Itali
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka pritur në një takim ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, i cili ndodhet në Tiranë. Përmes rrjeteve sociale, Rama shprehet se së shpejti, Shqipëria do të firmosë me Italinë marrëveshjen e pensioneve, për shqiptarët në Itali. "Me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani. Dhe me lajmin e mirë se më në fund jemi gati për firmosjen e Marrëveshjes së shumëpritur të Pensioneve të shqiptarëve në Itali", thuhet në postimin e Ramës.
Tajani takon dhe ministrin e jashtëm shqiptar
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani ka pritur në një takim zyrtar homologun e tij italian, Antonio Tajani. Homologët diskutuan mënyrat për një bashkëpunim më të fortë ndërmjet Tiranës dhe Romës. “Mirëprita sot në mëngjes në Tiranë kolegun tim të dashur, ministrin e Punëve të Jashtme Italiane dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajanin. Ne diskutuam mënyrat për të forcuar bashkëpunimin tonë të shkëlqyer dypalësh përpara takimeve të tij të ardhshme në Shqipëri sot” - shkruan Hasani.

Giorgia Meloni dhe Edi Rama nënshkruan një marrëveshje për emigrantët në 6 nëntor. Italia do të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët, që arrijnë në BE përmes detit. Marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera. Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë./ZËRI