Politikë

GJKKO dënon kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari, Maliqi: Zgjedhje të reja

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 9 muaj burg kryebashkiakun socialist, pasi nuk kishte deklaruar një dënim të marrë në moshën 17-vjeçare në Greqi.

k.m.
GJKKO dënon kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari, Maliqi:
Kreshnik Hajdari dhe Lefter Maliqi

TIRANË- Dënohet kreu i Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 9 muaj burg kryebashkiakun socialist, pasi nuk kishte deklaruar një dënim të marrë në moshën 17-vjeçare në Greqi. Por dënimi i është konvertuar në 150 orë punë në komunitet.

Vetë Hajdari, pasi doli nga gjyqi, nuk pranoi të fliste për mediat, ndërdsa avokati i tij, Theodhori Sollaku tha se ky vendim nuk ndikon në ushtrimin e detyrës së Hajdarit.

"Gjykata dha përfundimisht një vendim dënimi, duke e dënuar me 150 orë në komunitet. Duhet të merret vendimi i formës së prerë. Se ne do të apelojmë,”- tha avokati.

Pas vendimit të marrë nga Gjykata e Posaçme, reagimi i parë erdhi nga kundërshtari i tij në zgjedhjet e shkuara, Lefter Maliqi. Përmes një postimi në llogarinë e tij në "Facebook", Maliqi kërkoi që pas dënimit, kryebashkiaku Hajdari duhet të shkarkohet me firmë të kryeministrit Edi Rama, në mënyrë që brenda 45 ditëve të ardhshme, Kuçova t'i nënshtrohet zgjedhjeve të parakohshme lokale.

"Denohet me 1 vit burg nga Gjykata e Posaçme e Krimit të Organizuar, e konvertuar me 150 orë pune të detyruar, duke e shpallur fajtor Hajdarin, ‘pengun’ e ish fatorinos Salillari. Kryeministri duhet ta shkarkojë në bazë të “Ligjit të Dekriminalizimit” dhe Kuçova të kalojë për 45 ditë në zgjedhje të parakohëshme. Hajdari do merret i pandehur edhe për 6 kallëzime të tjera; për korrupsion, abuzime me detyrën, falsifikim etj. Celibashi duhet të marrë vendim menjëherë për shkarkimin e tij, pas ketij dënimi, pasi u urdhërua edhe nga “KAS” dhe të njoftojë Presidentin e Republikës për shpalljen e datës së zgjedhjeve. Hajdari i cili iku me vrap pas denimit, pasi ju shmang kamerave dhe mediave, sepse siç dihet është i paaftë dhe të jap doreheqjen vet pa pritur t’a shkarkojnë institucionet. Beteja ligjore vazhdon, s’ka kthim pas deri në rikthimin e Bashkisë Kuçovë te grabitur më “14 Maj”, tek qytetarët. Kuçova nuk meriton Kryetar të dënuar dhe abuzues me detyrën! Kuçova duhet të kthehet në “Kantier Ndërtimi”!,"-shkruan Maliqi. 

Megjithatë pas dënimit, vendimi do i mbetet Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) që të vlerësojë nëse Hajdari do të mbajë ende mandatin e kryebashkiakut, në të kundërt do t'u duhet të vendosin një tjetër datë zgjedhjesh lokale në Kuçovë. 

Më 14 nëntor të vitit të shkuar, Komsioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që të mos e cënonte mandatin e Kreshnik Hajdarit, i cili kishte fshehur një dënim në formularin e vetëdeklarimit. Ngjarja kishte ndodhur kur Hajdari ishte 17 vjeç dhe ishte dënuar për shkeljen e kufirit në Greqi. Megjithatë këtë fakt nuk e kishte përmendur në formular. Megjithatë, edhe pse i ndodhur vite më parë, ky fakt është përdorur nga kundërshtari i tij politik për t'i hequr mandatin e fituar. Gjatë asaj seance, përfaqësuesi ligjor i Hajdarit, Theodhori Sollaku arsyetoi se vepra penale ishte kryer kur kryebashkiaku ishte në moshë të mitur. E po ashtu, shtoi se nuk futej në veprat që penalizonin.

Megjithatë pala tjetër pretendoi se ligji i dekriminalizmit parashikon ndërprerjen e menjëhershme të mandatit në raste të tilla dhe nuk ka përjashtime. Po ashtu, përmendën edhe se Gjykata në Janinë e ka gjetur fajtor Hajdarin për hyrje në territorin grek në mënyrë të paligjshme dhe e ka dënuar në 23 qershor të vitit 1999 me “masë riedukuese të qortimit”. Vendimi në KQZ u mor në favor të Hajdarit, por mesa duket kjo çështje do të rikthehet sërish për shqyrtim./ZËRI

Poll

MOS HUMB