
TIRANË- Kancelari gjerman Olaf Scholz në fjalën e tij në Samitin e Procesit të Bërlinit që po mbahet në Tiranë, tha se krizat dhe konfliktet që po ndodhin mes shteteve të ndryshme, kanë vënë në alert BE-në që situata të tilla të shmangen në Ballkanin Perëndimor. Scholz çmoi nevojën që marrëveshjet e nënshkruara në samite të mëparshme të Procesit të Berlinit të zbatohen nga të gjitha shtetet.
Scholz dhe më pas Charles Michele vendosën theksin te ratifikimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë të qytetarëve, që deri tani është bërë nga 4 shtete të Ballkanit Perëndimor. 2 shtetet që nuk e kanë ratifikuar ende marrëveshjen për lëvizjen e lirë janë Kosova dhe Bosnje Hercegovina, e fundit që e miratoi ishte Serbia.
Kancelari Scholz: Kërkohet më shumë se kurrë bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor, fakti që ne jemi të ulur këtu është se ne e dimë që kemi situata të reja, siç është dhe konflikti më i fundit që po ndodh mes Izraelit dhe Palestinës. Edhe krizat e shumëfishta në rajon kanë theksuar që ne duhet të punojmë më shumë, ka ardhur koha që ti tejkalojmë këto konflikte.
Përshkallëzimet në Veri të Kosovës theksojnë domosdoshmërinë e marrëveshjeve që ne kemi nënshkruar. Integrimi brenda për brenda rajonit është i rëndësishëm, ju keni marrë disa hapa madhore për marrëveshjet e lëvizshmërisë, jam shumë mirënjohës që ato janë ratifikuar nga 4 nga 6 shtetet. Qytetarët mund të kalojnë nga një vend në tjetër vetëm përmes kartave të identitetit, kjo është shumë e rëndësishme.
Tirana pret sot për herë të parë Samitin e Procesit të Berlinit ku marrin pjesë krerët e BE-së, si dhe drejtuesit e shteteve kryesore të saj. Në takim mungon kryeministrja italiane Meloni, për shkak të axhendës së ngjeshur, ndërkohë që presidenti francez, Macron do ti bashkohet pasdite Samitit. Punimet e samitit do të zgjasin deri në orën 19 të pasdites./Zëri.ai