TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka qëndruar pak minuta në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u mor zyrtarish i pandehur për çështjen Partizani.
Berisha akuzoi SPAK që sipas tij është një piramidë mashtrimi.
“Jam marrë zyrtarisht i pandehur, për të njëjta akuza që kanë thënë më para, më ka korruptuar dhëndri im (qesh). Nuk mu duk se kishte akuzë tjetër nga ato që janë thënë më herët”, tha Berisha para gazetarëve, ndërsa e quajti SPAK një organizatë kriminale.
Ish-kryeministri vijoi më tej duke thënë se SPAK ‘është organizata më e tmerrshme kriminale në Europë’.
“Vizitova pjesën muzeale të SKAP-it. Aty gjeta orën 400-mijë e 600 euro të qëndisur me diamantë të Edi Ramës. Gjeta fotografinë e Amant Josifit për merita në spekulim e mashtrim botëror, gjendej Ymer Lala tek i jepte Dumanit 1-milionë euro për pyetjen që s’i bëri, gjendej Taulant Balla, i cili po merrte shpërblimin e Suel Çelës për lirimin e vrasësve të Lulzim Kullës...gjendeshin horra që shkojnë nga gjykatësi në gjykatës dhe u bëjnë forma nga më të neveritshme të presionit dhe u përdorin dokumenta antiligjore për t’i mbajtur peng ata.
Gjendeshin dokumente nga Greqia të Irenës me 5 mbiemra të cilat i ruante Dumani në kasafortë, që tregonin se është një delikuente e dënuar. Gjendeshin 300-mln euro të Vilma Nushit që i ndan me Edi Ramën. Gjendeshin 4-miliardë euro të Edi Ramës dhe Alabarit që i ndan me Edi Ramën, kjo pra është shpella më e rrezikshme kriminale në Shqipëri dhe në Europë", deklaroi mes të tjerash Berisha.
Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim./ZËRI