
TIRANË- Delegacioni i BE-së në Tiranë ka mbështetur propozimin e Partisë Socialiste për një rezolutë antikorrupsion. Në reagim, delegacioni i BE-së thekson se mirëpret dhe mbështet çdo propozim që çon më tej avancimin e reformave për shtetin e të drejtës në vend. Delegacioni thotë se është e rëndësishme të garantohet që kjo nismë do të zhvillohet në koherencë të plotë me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit (procesi screeening) dhe me angazhimet që ka marrë Shqipëria si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, si udhërrëfyesit për shtetin ligjor dhe administratën publike.
REAGIMI:
Delegacioni i BE-së mirëpret çdo nismë për të çuar më tej proceset e arritjeve të reformave të Shqiperisë për qeverisjen e mirë, shtetin e së drejtës dhe antikorrupsionin, duke u mbështetur te reformat dhe arritjet e mëparshme, si dhe në përputhje me parimin kushtetues të kontrollit dhe balancimit. Ne theksojmë se është e rëndësishme të garantohet që kjo nismë do të zhvillohet në koherencë të plotë me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit (procesi screeening) dhe me angazhimet që ka marrë Shqipëria si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, si udhërrëfyesit për shtetin ligjor dhe administratën publike.
Për sa i përket sektorit të drejtësisë, vërejmë se parimi kryesor duhet të jetë pakthyeshmëria e reformës në drejtësi të vitit 2016. Theksojmë se është me rëndësi jetike që procesi i propozuar parlamentar të jetë i bazuar në prova, transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, përfshirë edhe shoqërinë civile.
Në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, BE-ja po ofron ndërkaq asistencë të madhe për Shqipërinë në fushat e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit, si dhe është e gatshme të rrisë mbështetjen e vet, sipas rastit'', thuhet në reagim.
Partia Socialiste, e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, ka dalë një ditë më parë me prezantimin e një draft-rezolute, e cila synon ‘’thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian’’. Gjatë fjalës së tij në mbledhje, kreu i qeverisë, Edi Rama kërkoi dhe bashkëpunimin e opozitës për funksionimin e Komisionit të Posaçëm. Sipas tij, palët duhet të bashkëpunojnë dhe ta lënë “baltën” jashtë.
Drafti propozon ngritjen e një Komisionin të Posaçëm Parlamentar, i cili do të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian. Kështu do të rritet dhe llogaridhënia e institucioneve përballë Kuvendit të Shqipërisë./ZËRI