
TIRANË- Partia Demokratike ka futur në "skanër" kryebashkiakun e Tropojës, Rexhë Byberi duke analizuar një për një të gjitha rastet, kur socialisti ka abuzuar me pushtetin, duke ndihmuar familjarët e tij. Denoncimi i bërë nga zyre për "anti-korrupsionin" në Partinë Demokratike, nis me denoncimin e bërë nga emisioni investigativ "Piranjat" ku edhe u zbulua se Byberi për shkeljen e ligjit lidhur me projektin ‘Rikonstruksioni i rrugës 'Grace-Loku i Gracit' i kishte shkaktuar shtetit një dëm prej 1.6 miliardë lekësh. Por mesa duket kjo nuk është shkelja e vetme. Në vitin 2013, kur Byberi ishte në krye të asokohe Komunës Margegaj, bashkëshortja e tij, Rudina Ali Byberi u bë pronarja e një lokali, të ardhurat për të cilin, konkretisht 1.9 milionë lekë të reja, supozohej se ishin siguruar përmes një kredie. Po ashtu, si burim të ardhurash ishin llogaritur edhe paratë që ishin siguruar nga kompania "Vllaznimi’ shpk.
Bashkëshortja e tij deklaronte se kishte për të paguar 9 milion lekë për 3 vite, me këste 25 mijë lekë të reja për çdo muaj. Veçse nuk e kishte përmendur se me pronarin, Bashkim Byberi, kishte lidhje familjare. Ose më konkretisht, ishin kushërinj. Sipas PD-së, Byberi gjatë detyrës si Kryetar i komunës Margegaj ka paguar kushëririn me ‘Vllaznimi shpk’ në vlerën 83 milion lekë me tendera.
"Pra kryetari Byberi jo vetëm i jep tendera kushëririt por haptazi paguan detyrimin e bashkëshortes me paratë publike të tenderave. Por nuk përfunduan këtu përfitimi i parave publike të ndara me ‘Vllaznimi shpk’. Edhe në cilësinë e kryetarit të bashkisë Rexh Byberi kalonte paratë e tenderave tek Bashkim Byberi jo pak por rreth 598 milion lekë për rikonstruksione, mirëmbajtje, ndërtime, skema ujitëse etj,"-thekson në denoncimin e saj selia blu.
Kjo ishte shkelja e parë e gjetur! E dyta, konstatohet tek ‘Trajler shpk’, kompani në pronësi të Anila Byberit, e cila gjithshtu listohet si përfituese e fondeve të bashkisë Tropojë. Kjo kompani ka marrë nga Bashkia shumën prej 792 milion lekësh. Kushërinjtë e Byberit nuk përfundojnë këtu, pasi dhe një tjetër del në skenë. Bëhet fjalë për Avni Byberi, pronar i shoqërisë ‘Byberi shpk’. Në 22 Shkurt 2022, kohë kur Byberi ishte në krye të Bashkisë së Tropojës, drejtoria e Pyjeve, Kullotave dhe Bujqësisë dorëzon një realcion, ku miraton dhënien me qira të një sipërfaqeje prej "0,47 hektarë" nga fondi pyjor. Kjo pjesë toke, lokalizohet në luginën Kolgecaj brenda njësisë Margegaj, që dikur drejtohej nga Byberi.
"Nuk vonon dhe në 1 Gusht 2022 Rexh Byberi lidh kontratën e qirasë nr 3360/2 me djalin e xhaxhait Avni Byberi për sa më sipër në shkelje flagrante të ligjit duke shkatërruar një zonë natyrore, të banuar dhe njëkohësisht zonë turistike, duke grirë malin, duke e kthyer në beton dhe asfalt,"-shkruhet ndër të tjera në denoncimin e PD-së.
Lidhur me të njëjtin person, disa javë më parë, ZËRI raportoi lidhur me një aksion të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit që kishte ndërhyrë në zonë për të prishur guroren e Avni Byberit. Po ashtu, aksioni është shoqëruar edhe me gjoba, pasi e gjithë gurorja ishte ndërtuar në një zonë të mbrojtur natyrore. Edhe në këtë rast, si në rastin e rrugës që nuk u ndërtua kurrë, ishin banorët e zonës ata që bënë kallëzim penal pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke kërkuar ndjekjen penale të kryebashkiakut të Tropojës, Rexhë Byberi. Ndaj tij, kërkojnë ngritjen e akuzave "korrupsion pasiv" dhe "shpërdorim detyre". Bashkë me të, kërkuan edhe ndjekjen penale ndaj disa zyrtarëve të IKMT për “shpërdorim detyre”.
Për të ndaluar procedimin e tij penal, sipas Partisë Demokratike, Rexhë Byberi ka kërkuar ndihmën e Petrit Imerajt, Koordinator Anti-Korrupsion në Agjencinë Nacionale të Zonave të Mbrojtura në Ministrinë e Drejtësisë, i cili gjithashtu është pronari i shoqërisë ‘HTSH shpk’. Sipas Open Data, kjo kompani ka në objekt të veprimtarisë: bar-restorante, hotele, agjensi turistike dhe prodhim e tregtim betoni dhe inertesh. Po sipas PD-së, në vend që të ndiqte penalisht Byberin, Imeraj hap kompaninë e tij më 22 shkurt të vitit 2019, duke marrë gjithsej 87 milion lekë nga fondet e Bashkisë së Tropojës.
Në fund të denoncimit të bërë publikisht, Partia Demokratike kërkon ndjekjen penale të kryebashkiakut të Tropojës, për të cilin deri më tani ka të paktën një kallëzim penal nga vetë banorët e zonës.
"A do më Spaku për Rexh Byberin, të cilit i rëndojnë së paku 1 miliardë e 400 milion lekë para publike të ndara me familjarët pa përllogaritur vlerën e denoncimit në emisionin investigativ Piranjat?"
Ndërkohë që vetë Byberi hesht para akuzave, duket se po e njëjta situatë ka pllakosur edhe në institucionin e drejtësisë, SPAK. Ose, ndoshta pa shumë bujë, ka nisur edhe ndjekja e tij, e Byberi do të jetë kryebashkiaku i radhës që do të duhet që të përballet me pasojat e vendimeve të tij, para hetuesëve të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar./ZËRI