Politikë

Reforma Zgjedhore, Prezenca e OSBE: Partitë të ngrihen mbi ndasitë

Kryetari i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Bruce Berton, gjatë një takimi me Grupin Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet tha se partitë politike duhet të ngrihen mbi palët, për të arritur progres në Reformën Zgjedhore.

D.XH
Reforma Zgjedhore, Prezenca e OSBE: Partitë të ngrihen mbi
OSBE

TIRANË - Në veprimtarinë e tij të fundit si kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bruce Berton priti sot takimin e posaçëm të Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet, ku morën pjesë drejtues të ambasadave të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri.

Takimi u fokusua te rekomandimet e OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023 dhe vizitës pasuese në Tiranë. Po ashtu, u diskutua për përpjekjet më të fundit lidhur me reformën zgjedhore dhe për nevojën për përparim të vazhdueshëm në këtë drejtim. Ambasadori Berton theksoi se partitë politike duhet të ngrihen mbi ndasitë. 

“Shpresoj që drejtuesit dhe përfaqësuesit e partive dhe grupimeve të ndryshme politike të ngrihen mbi ndasitë dhe interesat partiake e të ndërmarrin hapa konkretë drejt një reforme të njëmendtë”, tha ambasadori Berton. Ai shtoi se rekomandimet e OSBE-ODIHR janë udhëzuesi kryesor për reformën zgjedhore. 

“Vendimi i Kuvendit për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore përcakton se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë udhëzuesi kryesor për reformën zgjedhore. Rekomandimet i drejtohen një game të gjerë aktorësh, përfshirë ata politikë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, autoritetet shtetërore, institucionet publike e të tjerë dhe secili duhet të bëjë pjesën e vet”, shtoi ai.

Gjithashtu, Bruce Berton theksoi nevojën e trajtimit të disa çështjeve që lidhen me rolin e medies në zgjedhje, në veçanti shmangia ose të paktën kufizimi i përdorimit në lajme të materialeve të prodhuara nga partitë/autoritetet shtetërore; nxitja e një mjedisi medietik të pavarur dhe vërtet të larmishëm, që është i lirë nga ndikimi politik/privat dhe që kufizon përqendrimin e pronësisë së medias.

Grupi Ndërkombëtar i Punës për Zgjedhjet është një forum i krijuar me nismën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, i cili mblidhet periodikisht për të shkëmbyer informacione dhe për të bashkërenduar qëndrimet dhe ndihmën për çështjet zgjedhore./ZËRI/

Poll

MOS HUMB