
TIRANË- Ministria e Financave duhet të hartojë një ligj të ri për bastet sportive dhe lojërat e fatit. Ky ishte përfundimi i arritur në fund të mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave këtë të enjte, i cili u shoqërua me diskutime të forta. Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe shprehu kritika të shumta ndaj projektligjit pasi sipas tij kështu siç është ai ka mangësi dhe i hap rrugën informalitetit duke futur në “lojë” dhe grupet kriminale.
Erion Braçe: Ajo që propozohet është ta hapim. Unë mendoj se kemi bërë shumë mirë që i mbyllëm bastet, ajo që nuk kemi bërë mirë është lufta kundër aktivitetit në të gjithë vendit. Duke e mbyllur këtë lloj aktiviteti, i dha dorë jo vetëm krimit të organizuar por edhe të punonjësve të policisë. Kjo ka bërë që të mos luftohet aktiviteti në të zezë. Pyetja që kam unë është: Duam ta legalizojmë dhe ta kontrollojmë apo ta legalizojmë dhe ta lëmë? Masa për ta kontrolluar këtë aktivitet nuk ka. Unë dua që ky aktivitet të jetë monopol i shtetit. Unë nuk mendoj që ligji të legalizojë 100% të aktivitetit. Ligji ka lënë hapësira që organizatat kriminale të ushtrojnë këtë aktivitet dhe të konkurrojnë ata të ligjshmit. Asnjë individ që hyn në këtë treg nuk mund ta luftojë dhe as konkurrojë këtë aktivitet. Pse të mos e ketë monopol shteti këtë gjë? Kur them monopol për të ndërtuar baza ligjore dhe për ta organizuar shteti, për të grumbulluar paratë shteti, për të garantuar zbatimin e rregullave. E kuptoj që është e vështirë për ta pranuar. Këtë platformën ku do të aksesojnë të gjithë kompanitë pse të mos e ketë shteti? Shteti duhet të ketë akses për të kontrolluar.
Ndërkohë kreu i Komisionit të Ekonomisë Eduart Shalsi duke iu përgjigjur Braçes, në mbledhjen e zhvilluar sërish online, tha se është e pamundur që një aktivitetet i tillë të formalizohet në masën 100%. Edhe sipas tij, projekligji ka mangësi por gjithsesi deklaroi mbështetjen për të. Po ashtu ai kërkoi nga Ministria e Financve një ligj të ri.
Eduart Shalsi: Ky treg e pamundur të formalizohet 100%, të formalizohet aq sa është e mundur. Duhet një kohë e konsiderueshme dhe kapacitete financiare, nëse duam platforma reale monitoruese, që shteti t’i marrë në kontroll. Unë mbështes iniciativën e qeverisë, për këto ndryshime të shpejta, sikundër thashë që ligji ka probleme. Rregullime janë. Ka nevojë për një ligj të ri. Nuk po e hapim pa duar, por po marrim disa masa.
Një tjetër pikë e nxehtë e debatit ishte miratimi i kazinove online. Sipas Braçes, po i hapet rrugë aktivitetit në çdo pajisje elektronike pa kontroll.
Erion Braçe: Sipas kësaj që shkruhet në ligj që do të luhet me smartphone, tablet, kompjuter… është ta japësh me dy duar. Kam rezerva dhe për operacionin e Policisë së Shtetit, pasi nuk ka asnjë drejtues të kapur.
Nga miratimi në ligj i lojërave të fatit ‘baste sportive’, vlerësohet të arkëtohen në buxhetin e shtetit rreth 2 miliardë lekë taksa në vit. 31 dhjetori 2018 ishte dita e fundit që në Shqipëri u lejua vendosja e basteve, më pas në vend në kuadër të operacionit "Fundi i Marrëzisë", gjithçka u ndalua. Edhe pse fenomeni i basteve sportive nuk u zhduk. Në vitin 2018, të ardhurat nga kjo kategori ishin 38.4 milion euro, dhe në 2017-n 44.5 milionë euro, ku vetëm bastet kishin derdhur 15 milion euro në arkën e shtetit. Por me ndalimin, kontributi në buxhet i bixhozit ra në 6 milionë euro në 2020-n, ndërsa vitin e shkuar, u arkëtuan 12.8 milionë./ZËRI