
TIRANË- Ndërkombëtarët janë duke bërë të gjitha lëvizjet e tyre që Reforma Zgjedhore të jetë gjithpërfshirëse. Pas përgënjeshtrimit që i bënë Lulzim Bashës, gjatë ditës së djeshme, se asnjë prej ambasadave nuk ka ndërmjetësuar për rifillimin njëanshëm të punës së Komisionit për Reformën Zgjedhore, tashmë ata kanë zbritur me takime në terren. Kryetarja në detyrë e OSBE në Shqipëri, Clarisse Pasztory, do të takojë ditën e sotme kreun e grupit të PD Gazmend Bardhi, pas takimeve që pati dje me Damian Gjiknurin dhe Enkelejd Alibeajn.
Reagimi vjen në një moment kur kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha njoftoi se reforma do të bëhej me Partinë Socialiste në pushtet, ndërkohë që një pjesë e madhe e opozitës që nuk përfaqësohet nga partia e Bashës e ka kontestuar përbërjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore.
“Për reformën zgjedhore kemi nevojë për një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës”, tha ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato duke folur për mediat gjatë një aktiviteti në Gjirokastër.
Ai shtoi se “ju duhet ta bëni atë përmes një dialogu politik gjithëpërfshirës dhe konstruktiv”.
Sipas ambasadorit, për BE-në është tepër e rëndësishme që Shqipëria të ndjekë rekomandimet e misionit të OSBE- ODIHR në realizimin e reformës zgjedhore. Lulzim Basha deklaroi të hënën, për rifillimin e Komisionit për Reformën Zgjedhore, duke pranuar bashkëpunimin me Partinë Socialiste.
Edhe Ambasada Amerikane në një reagim për mediat gjatë ditës së djeshme, tha se realizonte takime me aktorë të ndryshëm përfshirë dhe anëtarë të komisionit për reformën zgjedhore, por mohoi të ishte përfshirë në ndërmjetësimin e partive politike për këtë çështje.
“Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi”- thuhet në reagimin e ambasadës, ku theksohej se “interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim”.
Edhe Ambasada britanike në Tiranë e përgënjeshtroi përfshirjen në ndërmjetësimin e ndonjë marrëveshje politike, ndërsa apeloi që për “bashkëpunim konstruktiv” në parlament.
“Ndërsa nuk kemi ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike, ne vazhdojmë të nxisim dialogun reciprokisht respektues dhe kontruktiv në mirëbesim mes atyre që dëshirojnë ta përfaqësojnë popullin shqiptar”, thuhet në reagimin e kësaj ambasade.
Gjithë debati për Reformën Zgjedhore është zhvendosur në kampin opozitar, me grupimet e Bashës dhe Rithemelimit, që kërkojnë postin e bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm. Aktualisht ky post mbahet nga Enkelejd Alibeaj, dhe grupimi Berisha-Bardhi kërkojnë që ai të zëvendësohet nga Oerd Bylykbashi. Posti i bashkëkryetarit është i rëndësishëm, pasi ka të drejtë vote mbi çdo vendimmarrje të Komisionit.
/ZËRI