
TIRANË- Drejtori ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri (ISKK), Çelo Hoxha ka prezantuar këtë të enjte në Kuvend, raportin vjetor të punës së institucionit për vitin 2023. Gjatë fjalës së tij, Hoxha tha se në vitin 2023 u përkujtuan ngjarje të rëndësishme të qëndresës antikomuniste gjatë regjimit komunist, siç ishte Revolta e të burgosurve politikë në kamp-burgun e Spaçit më 21 maj 1973. Ndërsa shtoi se ISKK po mbledh dokumente për ligje represive të regjimit komunist, të cilat do jenë dëshmi e dhunës. Ndërkohë u shpreh se është bërë dokumentimi i veprimtarisë financiare të PPSH
Çelo Hoxha: Me botimin e vëllimit 12 dhe të fundit të Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist në Shqipëri, mbyllet një kapitull 12 i rëndësishëm në evidentimin e viktimave të persekutimit komunist, dhe i hapet rrugë studimit të thelluar shumëdimesional, duke shfrytëzuar të dhënat e Fjalorit. Kjo ngjarje u përkujtua me realizimin e tre veprimtarive të ndryshme: Një film dokumentar, një ekspozitë me dokumente dhe një simpozium. Ndërsa u ndërmor një studim mbi aspekte të jetës në kamp-burgun e Spaçit, si puna e detyruar, rezistenca e të burgosurve dhe përpjekjet e tyre në kërkim të lirisë (arratisjet), Revolta, etj., dhe informimi i publikut për këto çështje. Gjithashtu ISKK-ja ka përgatitur studimin e veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit në fillimet e tij, kur kjo strukturë e paligjshme quhej Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, 1944-1946. Mbledhjen e dëshmive të ish-të dënuarve për arsye politike, botimin e tyre dhe informimin e publikut për jetën në burgje, internim, dëbim dhe forma të tjera persekutimi. Dokumentimin e veprimtarisë financiare të PPSH, e cila përdori masivisht fondet e buxhetit të shtetit, ndërkohë që ligjërisht nuk kualifikohej për përdorimin e fondeve publike, sepse nuk ekzistonte e regjistruar si organizatë politike në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 370, 6 dhjetor 1946, “Mbi formimin e partive politike dhe shoqatave kulturale, shkencore, profesionale etj., dhe mbi mbledhjet publike”. Dokumentimin e dhunës së ushtruar ndaj qytetarëve nga Divizioni i Mbrojtjes së Popullit, në periudhën 1947-1949 dhe informimin e publikut për veprimtarinë e kësaj strukture të armatosur të paligjshme, në vijim të vëllimit I, i cili është botuar tashmë dhe mbulon periudhën 1944-1946./ZËRI