
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka shtyrë takimet që kishte planifikuar më herët me emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe dhe Gjermani. Planet e kryeministrit me sa duket i kanë ''prishur'' zgjedhjet. Kjo pasi raportohet se takimi i planifikuar më datë 2 Qershor në Londër, është shtyrë për shkak të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbajë Britania e Madhe më datë 4 korrik. Për takimin me shqiptarët në Londër nuk ka ende një datë konkrete, por pritet të zhvillohet në muajin shtator.
Ndërkohë po zgjedhjet janë bërë shkak që kreu i ekzekutivit të mos niset drejt Dorttmund-it për të takuar shqiptarët më datë 9 Qershor. Këtë herë zgjedhjet që do të mbahet për Parlamentin Europian. Ashtu si dhe në takimin me shqiptarët në Londër, as për takimin me emigrantët shqiptarë në Gjermani nuk ka ende një datë zyrtare, por gjasat janë që të mbahen në muajin shtator.
Më herët Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takim me shqitarët që jetojnë e punojnë në Greqi dhe Itali. Në takimin e parë, në Athinë, të mbajtur në stadiumin "Galatsi" të Athinës, Rama foli për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërsa vizita e tij u mbulua gjërësisht në shtypin grek, ca me kritika për retorikën nacionaliste dhe ca të tjerë për qëllimin e vizitës. Ndërsa vizita në Milano, ishte e qetë sa i përket marrëdhënieve politike mes vendeve dhe nuk prodhoi debate. Në të dy takimet morën pjesë mijëra qyttarë shqiprarë që e kanë ndërtuar jetën e tyre jashtë vendit./ZËRI