
MYNIH- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vizituar zyrat e "TikTok" me zv.drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë, Theo Bertram. Ka qenë vetë kreu i qeverisë, Edi Rama, ai që ka ndarë foto nga takimi, ndërsa në mbishkrim, ndau edhe detaje nga diskutimi që kishte me ta. Rama ceku ngjarjet e fundit në Shqipëri, ku disa gra dhe vajza kanë ndërruar jetë për shkak të kërcënimeve që kanë marrë në rrjetet sociale. Ndaj edhe theksoi nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online.
"Mynih - Në zyrat e Tik Tok me zv. Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Theo Bertram, ku diskutuam me mirëkuptim të plotë për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online, si edhe u njohëm me masat që po merren nga kompania për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe. Ishte kënaqësi informimi mbi nivelin e lartë të vetëdijes së kolosit social Tik Tok, për rreziqet që i kanosen rrjeteve sociale dhe të investimeve të kompanisë në përballimin dhe shmangien e tyre,"-shkruan Rama.
Gjatë qëndrimit të tij në Mynih, Rama u takua me Johannes Hahn, zv.President i Komisionit Evropian, i ngarkuar për Buxhetin dhe Administrimin, me të cilin diskutoi lidhur me planin për rritjen ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Nga data 16-18 shkurt, Rama do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, në të cilën do të marrin pjesë rreth 60 krerë shtetesh dhe mbi 85 zyrtarë qeveritarë. Në fokus të diskutimeve në këtë Konferencë, do të jenë lufta në Rripin e Gazës, shqetësimin për zgjerimin e konflikteve në Lindjen e Mesme, lufta në Ukrainë dhe zgjerimi e forcimi i NATO-s./ZËRI