
TIRANË- Sekretariati i Etikës ka vendosur këtë të premte të përjashtojë nga punimet e parlamentit dy deputetët e opozitës, Albana Vokshi dhe Elda Hoti. Socialistët vendosën sot që të largojnë me 10 ditë dy demokratet, që në seancën e kaluar kanë bllokuar punimet normale në parlament, teksa zaptuan foltoren e Kuvendit.
Kujtojmë se Albana Vokshi bllokoi foltoren e Kuvendit, madje nuk lejoi Arbi Agalliun që të flasë. Ky i fundit kishte kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, por se Nikolla lejoi që seanca e llogaridhënies të mbahet me Elisa Spiropalin. Gjithashtu, deputetja Elda Hoti i ka hequr të drejtën e fjalës Arbi Agalliut, që është pjesë e grupimit të Lulzim Bashës.
Agalliu filloi që të flasë nga vendi, por demokratja Elda Hoti i ka hequr kartën e votimit, që për rrjedhojë i ka bllokuar edhe mikrofonin. Gjatë seancës së kaluar janë ndezur zhurmues, ndërsa opozita ka protestuar me pankarta në duar.
10 ditë jashtë parlamentit, Vokshi: Rama urdhëron 4 gra që të përjashtojnë 2 deputete
Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi ka reaguar, pas përjashtimit të saj për 10 ditë nga parlamenti. Vokshi tha se Rama, përpos se urdhëron gratë që të firmosin për vjedhje, abuzim dhe korrupsion, i urdhëron ato që të përjashtojnë edhe dy gra deputete. “Propaganda e Ramës me numrin e grave dhe keqpërdorimi i tyre. Urdhëron 4 gra deputete që të përjashtojnë dy gra deputete. Urdhëron një grua që të ndalojë gratë deputete të hyjnë në seancat plenare. Urdhëron një grua të urdhërojë gardën të ndalojë e të dhunojë fizikisht gratë deputete të opozitës. Urdhëron gratë ministre të firmosin çdo vjedhje, abuzim e korrupsion të tij. Ja pse i duhen gratë Edi Ramës…“, -shkruan Vokshi. Sekretariati i Etikës vendosi sot përjashtimin me 10 ditë të Albana Vokshit dhe të Elda Hotit, pas kërkesës të Partisë Socialiste, në lidhje me incidentin e shkaktuar dje në parlament./ZËRI/