
Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka folur pas pjesëmarrjes në tavolinën opozitare ku janë mbledhur disa prej partive opozitare për të diskutuar rreth një aksioni të përbashkët për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës nëpërmjet organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të paanshme.
Bardhi e ka quajtur lajm të mirë këtë bashkim duke e komentuar përçarjen e opozitës si ‘dhuratën më të mirë për qeverinë e Ramës':
“Së pari besoj dhe biem dakord të gjithë se kjo është një ditë e mirë për opozitën, pas bashkimit të PD, sot kemi dhe bashkimin e forcave që janë në opozitë, për të formalizuar atë që prej kohësh flitej, Federatën. Opozita e përçarë ka qenë dhurata më e mirë për qeverinë e Ramës. Cilido që është i përgjegjshëm, sot ka marrë një mesazh të mirë që jemi bërë bashkë, për rrëzimin e qeverisë së Ramë dhe për t’u bërë alternativë. Ka qenë e hapur diskutimi për çdo parti, cilido është i lirë, që t’i bashkohet Federatës.”, tha Bardhi.
Pyetjes se a duhet të ketë vend në tryezë Lulzim Basha ai u përgjigj:
“E ripërsëris, cilido që ndjehet në opozitë, e vetmja rrugë për t’u forcuar është të bëhemi bashkë, në diversitet dhe të bashkuar rreth ideve, por nuk ka rrugë tjetër për t’i dalë përballë një qeverie që është forcuar edhe nga copëzimi i opozitës.”
Gjatë ditës së djeshme, Flamur Noka, një nga mbështetësit më të zjarrtë të Sali Berishës u shpreh se për këtë tavolinë ka ftesë për çdo opozitar përveç Lulzim Bashës dhe Enkelejd Aliebaj.
Dy organizatorët e kësaj tavoline Fatmir Mediu dhe Agron Duka i kanë dërguar një ftesë dhe Lulzim Bashës, ndërsa ky i fundit nuk ishte i pranishëm sot, duke mos iu përgjigjur as ftesës së bërë. Në takim mungoi dhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi si dhe Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU-së. /Zëri