
ITALI- Kryeministri Edi Rama do të niset pasditen e sotme drejt Italisë, ku pritet që të takojë kryeministren Giorgia Meloni si dhe presidentin e senatit.
Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se Rama nuk do të marrë pjesë në homazhet që do të kryhen në nder të ish-presidentit Napolitano.
Vizita e Ramës në Itali vjen pak kohë pasi kryeministrja italiane ishte në Shqipëri në muajin Gusht, ku pati takim informal me kryeministrin shqiptar, ku ishte e shoqëruar dhe nga familja e saj.
Meloni dhe Rama kanë pasur disa takime mes tyre, ku në fokus ka qenë rritja e numrit të turistëve italianë në Shqipëri, por edhe rritja e investimit të biznesmenëve të ndryshëm në Shqipëri.
Ndërkohë që paraditen e sotme kryeministri Edi Rama drejtoi ministerialin euro-ballkanik të Ministrave të Ekonomisë nga BE-ja dhe rajoni, me pjesëmarrjen e më tepër se 20 delegacioneve të nivelit të lartë.
Rama në fjalën e tij deklaroi se për herë të parë, Shqipëria flet në këtë samit, për atë që dikur as që mund të imagjinohej, planin e BE-së për të interguar më tej Ballkanin Perëndimor. Kreu i qeverisë tha se tashmë Shqipëria po ngjitet në nivel të ri. Sipas tij, fjalët premtuese do të mbështeten edhe në vepra.
"Sot Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE. Jemi këtu me ministra e zyrtarë të shquar nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Evropian për të diskutuar rreth temave më thelbësore të këtij procesi, që përfshin forcimin e ekonomive tona, duke përfshirë lidhjet me sferën e aktiviteteve ekonomike të BE”, u shpreh Rama./Zëri.ai