
TIRANË - Ka nisur në Tiranë, ministeriali euro-ballkanik i Ministrave të Ekonomisë nga BE-ja dhe rajoni, me pjesëmarrjen e më tepër se 20 delegacioneve të nivelit të lartë.
Rama në fjalën e tij deklaroi se për herë të parë, Shqipëria flet në këtë samit, për atë që dikur as që mund të imagjinohej, planin e BE-së për të interguar më tej Ballkanin Perëndimor. Kreu i qeverisë tha se tashmë Shqipëria po ngjitet në nivel të ri. Sipas tij, fjalët premtuese do të mbështeten edhe në vepra.
“Ka ardhur koha të mendojmë jashtë kornizave dhe është kjo që po përpiqemi të bëjmë me këtë samit dhe ajo çfarë po ndjejmë nga të gjitha komunikimet dhe bisedat tona me miqtë tanë të mëdhenj.
Dje zhvillova një bisedë mjaft shteruese me mikun tonë nga qeveria e Francës, dhe ishte një bisedë që 5 vite më parë do ishte e pamundur të zhvillohej. Gjërat kanë ndryshuar dhe ne shohim me mjaft interes se në BE ka një bindje shumë më të fortë dhe janë më syhapur karshi rëndësisë që Ballkani Perëndimor ka për BE.
Sot Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE. Jemi këtu me ministra e zyrtarë të shquar nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Evropian për të diskutuar rreth temave më thelbësore të këtij procesi, që përfshin forcimin e ekonomive tona, duke përfshirë lidhjet me sferën e aktiviteteve ekonomike të BE”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se 6 000 shoqëri tregtare përfituan nga heqja e barrierave mes vendeve. ‘6 000 shoqëri tregtare kanë përfituar nga aktiviteti i nxitjes së tregtisë. Ne arritëm, heqjet e barrierave jo tarifore, nga ngjarjet e përbashkëta të cilat kanë përfshirë shoqëri tregtare sidomos dhe mbështetje për qasjet e BE-së në raport me Tregun. Gjithçka që bëjmë së bashku është të përfitojmë në terren për njerëzit që kanë nevojë të lëvizin më lirisht’- tha Rama.
Çfarë është Procesi i Berlinit?
Procesi i Berlinit është një nismë që filloi në vitin 2014, me iniciativë të ish-kancelares gjermane Angela Merkel. Qëllimi është lidhja dhe integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, përpara anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Po ashtu, Procesi i Berlinit shërben edhe për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet zyrtarëve të nivelit të lartë të 6 vendeve të BE-së, përfshirë këtu Shqipërinë. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon. Samiti i ardhshëm do të organizohet në Tiranë më 16 tetor 2023./Zëri.ai/