
ATHINË- Nesër, kryeministri Edi Rama do të mbajë takimin me shqiptarët në Greqi. Ngjarja i ka tërhequr vëmendjen përveç politikës edhe mediave greke që kanë zbuluar detaje të tjera nga takimi. Kjo festë për diasporën shqiptare në Greqi, për të cilën ka mobilizim intensiv nga ELAS me masa të shtuara sigurie ka reagime të ashpra nga opozita.
Takimi raportohet se do të nisë rreth orës 8.30 të mëngjesit. Sipas raportimeve, ai do të shoqërohet nga gjithsej 150 persona, përfshirë ministra, oficerë policie, gazetarë dhe artistë. Brenda stadiumit, përveç grekëve të Sigurimit Zyrtar, do të jenë mbi 30 truproja të sigurisë personale të Ramës.
Festa do të nisë në orën 11.00 të së dielës me valle dhe këngë tradicionale. Sipas informacioneve të "CNN Greece", Edi Rama do t'u drejtohet bashkatdhetarëve që do të jenë të pranishëm me një fjalim parazgjedhor përpara zgjedhjeve kombëtare të 2025-ës në vendin fqinj. Madje po sipas kësaj media greke, Rama pritet ndër të tjera të shpallë votën e diasportës dhe lehtësitë që do t'u ofrojë shqiptarëve që jetojnë në Greqi për të ushtruar të drejtën e votës.
Pas fjalës së tij, Rama do të zhvillojë takime me bashkatdhetarë, anëtarë të partisë dhe biznesmenë, ndërsa pasdite do të shkojë në aeroport për t'u larguar nga Athina.
Kritika të ashpra nga partitë opozitare – “Zjarr” nga SYRIZA
Në të njëjtën kohë, partitë opozitare kritikojnë ashpër qeverinë dhe personalisht Kyriakos Mitsotakis për takimin që mban kreministri shqiptar në Athinë.
“Data e zgjedhur nga zoti Rama për vizitën e tij në Greqi është sigurisht provokuese, por edhe më provokuese – për popullin grek dhe atë shqiptar – është se qeveritë e të dy vendeve po konkurrojnë se kush do të marrë drejtimin në planeve e rrezikshme të NATO dhe BE në Ballkan, në një kohë kur zhvillimet po e kthejnë rajonin në një fuçi baruti. Kjo është çështja më kritike që po tentohet të fshihet pas shpërthimeve nacionaliste,"-shkruan "Communist Party of Greece".
Disa ditë më parë, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se vizita në Athinë e Ramës është e panevojshme, megjithatë shtoi se nuk mund ta pengojnë, pavarësisht thirrjeve të ndryshme që janë bërë nga grupe ekstremistësh. Pas Mitsotakis reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, që theksoi se vizita e tij në kryeqytetin grek nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet për Parlamentin Europian apo ndonjë narrativë tjetër specifike që zgjon interesin e politikanëve grekë.
Kreu i qeverisë thotë se vizita e tij ka qenë e planifikuar prej kohësh dhe bëhet për t’u angazhuar me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit e për të ndarë me ta krenarinë e atdheut dhe vizionin “Shqipëria 2030”. Në ndryshim nga Greqia, Shqipëria ka qenë gjithnjë e hapur për takimet e politikanëve grekë, siç do të ndodhë edhe sot, ku kreu i opozitës fqinje, do të vijë dhe do të takojë komunitetit grek në jug të vendit tonë./ZËRI