Politikë

Rama në Spanjë: Situata në Kosovë e rrezikshme, BE të reagojë

Kreu i qeverisë shqiptare tha se BE duhet të kishte reaguar më fort, për faktin se Beogradi shpalli tre ditë zie për terroristët e vrarë

D.XH
Rama në Spanjë: Situata në Kosovë e rrezikshme, BE të
Rama në Samit në Spanjë

SPANJË – Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në një deklaratë për mediat nga Granada në Spanjë, në Samitin e Komunitetit Politik Europian, foli për zhvillimet e fundit dramatike në Kosovë.

Rama tha se situata në veriun e Kosovës është e rrezikshme dhe se paqja atje u rrezikua nga një grup terroristësh serbë. Kreu i qeverisë shqiptare shtoi se BE duhet që ta ndëshkojë Serbinë dhe duhet të kishte reaguar më fort, për faktin se Beogradi shpalli tri ditë zie për tre terroristët e vrarë në Banjskë.

“Situata në veriun e Kosovës është e rrezikshme, Europa duhet ta ndëshkojë Serbinë. Serbia duhet të ndëshkohet me sanksione, përpara se të jetë vonë. BE duhet të kishte reaguar ashpër, për faktin se Serbia shpalli ditë zie për tre terroristë të vrarë në Kosovë.

Kemi pasur shumë shpresë se dialogu ishte e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet mes Prishtinës dhe Beogradit. Ne besojmë se NATO do ketë vullnet të fuqishëm për të reaguar. Gjë e mirë është që atje është shtuar prezenca e KFOR-it”, deklaroi Rama.

Rama shoqërohet me kryeministrin britanik, Rishi Sanuk

Kryeministri Edi Rama është parë nën shoqërinë e kryeministrit të Britanisë së Madhe, Rishi Sunak.

Në pamjet e publikuara nga Samiti i Komunitetit Politik Europian, Rama shihet teksa zhvillon takim të përzemërt me Sunak. 

Vuçiç në Samit: Do kem takime me Borrell, Macron dhe Sunak

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i pranishëm në Samitin Europian të Komunitetit Politik në Granada të Spanjës, ka paralajmëruar disa takime me liderë të vendeve europiane dhe përfaqësues të BE-së.

Ai tha se do të takohet me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak. Sipas Vuçiç, takimet me këta liderë do të jenë të vështira.

Në Samitin që ka nisur në Spanjë, pritet që një nga temat e diskutimit të jetë edhe situata në Kosovë, ku një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë efektivin shqiptar Afrim Bunjaku. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB