Politikë

Rama: Massimo D’Alema është mentor, me të flas për politikë. Sgarbi me hotel? Do të ishte bordello

Edi Rama u shpreh se kurrë nuk e ka pasur këshilltar, por gjithmonë ka komunikuar me të si mentor.

k.m.
Rama: Massimo D’Alema është mentor, me të flas për
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë të gjatë për emisionin investigativ "Report" në Rai3. Lidhur me kompaninë që ish-kryeministri italian, Massimo D'Alema, ka hapur në Shqipëri, Rama u shpreh se kurrë nuk e ka pasur këshilltar, por gjithmonë ka komunikuar me të si mentor.

"Kurrë nuk kam folur për tregti me Massimo D’Aleman. Kam folur gjithnjë për politikën, kam folur gjithnjë për Shqipërinë, kam folur gjithnjë për… Pastaj, ai është i lirë të bëjë çfarë të dojë. Epo t’i paraqesësh gjithmonë këto gjëra kështu!,"-tha Rama ndër të tjera. E po ashtu, gazetari Giorgio Mottola i tregoi se ka dëgjuar se edhe Vittorio Sgarbit i është premtuar ndërtimi i një hoteli me lehtësira nga qeveria. Këtë koment, Rama e ka kthyer në batutë.

"Po a e imagjinoni dot ju Vittorio Sgarbin që administron një hotel. Do të ishte bordelloja më e madhe në historinë e hotelerisë, ndjesë,"-shtoi Rama.

PJESË NGA INTERVISTA: 

Rai3: Dëgjoni, ju keni një raport të shkëlqyer me Xhorxha Melonin. Keni pasur marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë kryeministrat, veçanërisht me Massimo D’Alema-n.

EDI RAMA: Po.

Rai3: Massimo D’Alema, është një këshillues i juaji, ju e keni emëruar këshilltar.

EDI RAMA: Jo, nuk e kam emëruar këshilltar, sepse nuk do ia lejoja vetes ta emëroja këshilltar. Ai është një mentor.

Rai3: Ah, është mentor.

EDI RAMA: Po. Është njëri prej shtetarëve më të mëdhenj, sipas meje, pas Luftës së Ftohtë dhe është një prej mendjeve më të bukura që kam takuar në jetë. Të gëzosh miqësinë e tij, është, për mua, një medalje e madhe nderi.

Rai3: Edhe D’Alema ka ardhur në Shqipëri për të bërë tregti.

EDI RAMA: Çfarë tregtie? Çfarë ka bërë.

Rai3: Ka ngritur një shoqëri lobimi.

EDI RAMA: Po ç’tregti?!

Rai3: AEI

EDI RAMA: E pabesueshme! Kurrë nuk kam folur për tregti me Massimo D’Aleman. Kam folur gjithnjë për politikën, kam folur gjithnjë për Shqipërinë, kam folur gjithnjë për… Pastaj, ai është i lirë të bëjë çfarë të dojë. Epo t’i paraqesësh gjithmonë këto gjëra kështu!

Rai3: Po ka themeluar një shoqëri lobimi. D’Alema ka një shoqëri lobimi në Itali dhe ka themeluar edhe këtu një. AEI quhet.

EDI RAMA: AEI

Rai3: AEI quhet.

EDI RAMA: Unë di që ai punon për Ernst & Young në Itali.

Rai3: Ka një shoqëri lobimi edhe në Itali.

EDI RAMA: Dhe nuk është shoqëri lobimi.

Rai3: Jo, ai ka një shoqëri lobimi të tijën në Itali.

EDI RAMA: Nuk jam në dijeni të ndonjë shoqërie lobimi, por do t’ju kërkoja ta lini jashtë Massimo D’Alema-n nga ky not në baltë që po bëjmë së bashku.

Rai3: Nuk është not në baltë, sepse një ish-ortak i tiji, Consulcesi.

EDI RAMA: Kush është?

Rai3: Consulcesi, që ka hapur një shoqëri trajnimesh.

EDI RAMA: Ish-ortak i kujt?

Rai3: I D’Alema-s

EDI RAMA: Po, unë nuk e di…

Rai3: Massimo Tortorella. Ju keni marrë pjesë në vitin 2019 bashkë me D’Alema-n në përurimin e kësaj shoqërie, të këtij filiali në Tiranë, i cili, edhe në Itali, ka treqind-katërqind punonjës.

EDI RAMA: E pastaj?

Rai3: Në atë rast, Ministrja e Shëndetësisë shpalli të detyrueshëm formimin profesional për mjekët, në mënyrë që të ushtrojnë profesionin.

EDI RAMA: E pabesueshme! E pabesueshme!

Rai3: Pse?

EDI RAMA: E pabesueshme! Ne duam, kemi dashur të shfrytëzojmë një ekselencë italiane, për të kryer një proces aftësimi, të themi, të rritjes së aftësive në sektorin tonë shëndetësor dhe kjo kthehet në një problem?

Rai3: Jo, nuk është problem. Është thjesht një rrethanë që më bën kureshtar, që ish-ortaku i Massimo D’Alema-s hap një shoqëri këtu dhe kjo shoqëri, në momentin që hapet, ka një vendim që e favorizon njëfarësoj, edhe në raport me subjekte të tjera….

EDI RAMA: Po pastaj çfarë ndodhi?

Rai3: Nuk e di, për këtë po ju pyes.

EDI RAMA: Më vjen keq, po nuk ndodhi asgjë. Më vjen keq, duhej të ndodhte, po ja që nuk ndodhi.

Rai3: Edhe Vittorio Sgarbi ka ardhur t’ju trokasë në derë, në një farë pike.

EDI RAMA: Ka qenë gjithnjë nder të pres Vittorio Sgarbin. Është një italian i madh. Librat e tij do të mbeten, artikujt për të do të zhduken. Kjo është historia. Kur të flitet për Vittorio Sgarbin, do flitet për librat e tij, për njohuritë e tij mbi artin, për mënyrën e qëndrimit dhe të të bërit televizion, që është sigurisht ultra provokuese, por artikujt për të s’mendoj do i lexojë kush.

Rai3: Më lejoni ta them ca me provokim, që është paksa konflikt interesi që ai është një vlerësues i madh i artit të tuaj.

EDI RAMA: Ah, jam në konflikt interesi unë me Vittorio Sgarbin?

Rai3: Po, e thashë në mënyrë provokuese dhe simpatike. Ai është një vlerësues i madh i artit tuaj, Vittorio Sgarbi.

EDI RAMA: Po unë nuk fola për vlerësimin e tij për artin tim. Unë fola për vlerësimin tim për Vittorio Sgarbin. Konflikt interesi mund të ishte nëse unë do thoja se Vittorio Sgarbi është i madh, sepse çmon artin tim ose se Vittorio Sgarbi vlerëson artin tim, ndaj ai është i madh. Unë nuk e thashë. Ju më pyetët për Vittorio Sgarbin. Nuk e di se ç’hyn, por e kuptoj që Vittorio Sgarbi tani është pjesë edhe njëherë e një përplasjeje të madhe në Itali dhe ju doni ta sillni tek unë.

Rai3: Kam një pyetje specifike, sepse i njëjti burim qeveritar të cilit iu referova më parë pretendon se ju keni kërkuar, edhe përpara ministrave të tjerë, një koncesion shtetëror, një PPP.

EDI RAMA: Për Vittorio Sgarbin?

Rai3: Po, pikërisht.

EDI RAMA: Po kush jua thotë këto histori?! Po çfarë janë këto histori. Një PPP për Vittorio Sgarbin!

Rai3: Po, një hotel me lehtësira fiskale.

EDI RAMA: Po a e imagjinoni dot ju Vittorio Sgarbin që administron një hotel. Do të ishte bordelloja më e madhe në historinë e hotelerisë, ndjesë.

Rai3: Me bordello e ke fjalën tamam për atë bordello?

EDI RAMA: Jo, për atë bordello ndoshta e keni fjalën ju, sepse…

Rai3: Thjesht po ju pyes.

EDI RAMA: Ne kemi një thënie, gjuha vete ku dhemb dhëmbi. Unë e thashë “një bordello e madhe” në kuptimin e rrëmujës. Po ju menduat bordello, se ndoshta do e kishit kënaqësi të vizitonit bordellon e Vittorio-s.

Rai3: Jo, jam lumturisht i martuar dhe i dënuar me monogami.

EDI RAMA: E dini që ata që i frekuentojnë më shpesh bordellot janë…

Rai3: Burrat e martuar? E di. Në fakt, ndoshta thjesht do të mbante emrin e tij, por nuk do ta administronte Sgarbi.

EDI RAMA: Po ç’është kjo histori?! S’ka pasur kurrë një histori të tillë. Çfarë po thoni. Ai ka ardhur shumë herë. Kemi folur edhe për të krijuar rrethana ku Shqipëria të ishte një destinacion arti, po kurrë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Më falni, po çfarë është ky, një proces gjykimi për qëllimet?

Rai3: Jo, është thjesht një ballafaqim i dëshmive të mbledhura, thjesht kaq.

EDI RAMA: Po…

Rai3: Unë mbledh dëshmitë, vij te ju dhe i ballafaqoj drejtpërdrejt.

EDI RAMA: Sipas meje, ka një problem të madh, sepse ju mblidhni thashetheme, nga njëri cep në tjetrin, nga persona që flasin, që thonë “kemi takuar”, “kemi parë”.

Rai3: Persona që thonë se i kanë parë drejtpërdrejt.

EDI RAMA: Më fal, po faktet, faktet, ku janë faktet? Mirë pra, jemi parë me Vittorio-n, kemi menduar të hapim një bordello, në kuptimin me të cilin e merrni ju. Po faktet ku janë? Ku është bordelloja? Ë? Atëherë, si mund të shpenzohet koha e publikut italian, e shërbimit publik italian duke folur për thashetheme. Fole për këtë, a e pe atë, a e pe këtë tjetrin. Më falni, po për çfarë po flasim?

Rai3: Për fat të keq, është gazetari hulumtuese. Mund të jetë punë e pisët, por mban në këmbë demokracinë, Kryeministër.

EDI RAMA: Gazetaria hulumtuese, sipas meje, është që ju hulumtoni dhe pastaj vini tek unë duke më paraqitur faktet dhe më gozhdoni me fakte, jo duke u përpjekur të më vini në siklet me thashetheme dhe duke folur për njerëz, për emra, për gjëra, për persona që, në fund të fundit, në një gazetari demokratike duhet të kenë të drejtën e dinjitetit personal. Çdo person që përmendet me emër duhet të ketë të drejtën e dinjitetit personal, për të mos u tallur me të, për të mos u vënë në mes të një ngatërrese të madhe, duke i krijuar probleme në familje, duke i krijuar probleme me miqtë, duke i krijuar probleme në qytetin e tij, sepse është përmendur nga shërbimi publik italian. Këto janë gjëra të pabesueshme. Ndërsa unë jam këtu për faktet. Duhet të më tregosh një fakt për të cilin duhet të përgjigjem, po me “kam takuar këtë, kam takuar atë tjetrin, pashë njërin, dikush më tha”. Për çfarë po flasim?

Rai3: Folëm edhe për koncesione që u janë personave që merren me pastrim parash për kartelin Sinaloa.

EDI RAMA: Ja, prapë.

Rai3: Domethënë, po flasim për fakte konkrete. Po flasim për shoqëri tregtare që vijnë dhe ngrenë selitë e tyre këtu. Po flasim për fakte dhe dëshmitë e atyre që sjell nuk vijnë nga gazetarë, njerëz nga rruga a politikanë, po flasim për një figurë që ka pasur poste të larta në qeveri.

EDI RAMA: Nuk po flasim për asnjë figurë dhe nuk po flasim për asgjë, sepse ju më flisni për diçka që unë as e di që ekziston, që ka një hetim e kështu me radhë dhe më flet për diçka që i takon drejtësisë, nuk më takon as mua as juve, i takon drejtësisë. Pastaj, fakti që..

Rai3: Po më takon edhe mua, se unë nuk duhet t’i nënshtrohem drejtësisë, ky hetim është i pavarur nga drejtësia.

EDI RAMA: Jo, e kisha në kuptimin e fakteve për personin, jo që ju të mos bëni punën tuaj, edhe ajo na duhet.

Poll

MOS HUMB