
TIRANË- Adea Pirdeni, nga zv.ministre e Drejtësisë, nga sot e tutje do të drejtojë vetë një dikaster. Për herë të parë në Shqipëri është krijuar Ministria për Administratën Publike dhe Anti-korrupsionin. Megjithatë edhe kjo është një ministri pa portofol. Lajmin e bëri me dije vetë kryeministri Edi Rama, edhe kësaj here me një postim në "X", ku edhe sqaron zgjedhjen e tij. Sipas kreut të qeverisë, me rrugën drejt Bashkimit Europian do të duhet të ketë një qasje të re ndaj Administratës dhe jo vetëm. Ndaj edhe shtoi se i ka dërguar presidentit Bajram Begaj, ministrin e dytë të propozuar brenda javës.
"Këtë detyrë do ta kryejë zonja Adea Pirdeni, e cila ka kryer tre vjetët e fundit rolin e zv.ministres së drejtësisë dhe ka spikatur me lidershipin e me profesionalizmin e saj në rolin e zv.kryenegociatores me Bashkimin Europian, si edhe në mbulimin e kapitullit madhor të Gjyqësorit e të Drejtave Themelore,"-shkroi ndër të tjera Rama.
POSTIMI I PLOTË:

Në këtë fazë të re zhvillimi të vendit dhe në kushtet kur Shqipëria po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, pasi sapo ka hedhur me sukses hapin e parë të tyre, kërkohet një qasje e re ndaj administratës publike, për të rritur krahas pagave konkuruese dhe cilësinë e burimeve tona njerëzore, duke adresuar të gjitha hallkat e procesit të funksionimit të saj, nga rekrutimi deri tek promovimi i nëpunësve; duke rishikuar me një sy më kërkues e me ekspertizë më të konsoliduar organizimin e institucioneve, strukturat e funksionet e tyre, proceset e punës e të ndërveprimit mes tyre; duke krijuar kushte më të mira e mekanizma të qëndrueshëm për motivimin e për trainimin e trupës sonë të Shërbimit Civil dhe me radhë… Po ashtu është e udhës që politikat antikorrupsion të qeverisë të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit, me ekzigjencat e procesit sfidues të negociatave me BE për të gjitha institucionet e vendit, si edhe me vetë shoqërinë civile e sipërmarrjen. Për ta nxitur këtë qasje të re dhe adresuar sfidat e mësipërme, do t’i dërgoj Presidentit të Republikës propozimin për miratimin e një tjetër anëtari të ri të kabinetit qeveritar, si Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Këtë detyrë do ta kryejë zonja Adea Pirdeni, e cila ka kryer tre vjetët e fundit rolin e zv.ministres së drejtësisë dhe ka spikatur me lidershipin e me profesionalizmin e saj në rolin e zv.kryenegociatores me Bashkimin Europian, si edhe në mbulimin e kapitullit madhor të Gjyqësorit e të Drejtave Themelore.
Pak ditë më parë, Rama caktoi Blendi Gonxhjan si ministër Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin. Por edhe ai nuk është dekretuar ende nga presidenti Bajram Begaj. Shkrirja për ministrinë e re që do të drejtojë Gonxhja ka lënë pa punë tashmë ish-ministren e Kulturës, Elva Margariti, ndërsa me këtë lëvizje të re nga kryeministri Edi Rama, Ervin Mete do të mbetet vetëm ministër i Financave./ZËRI