
TIRANË- Pas fitores së thellë të mandatit të katërt qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama ka vendosur të dalë sërish në rubrikën e tij online “Sy m’sy”. Edhe pse nuk u ndal shumë gjatë në zgjedhje, kryeministri Edi Rama ka ironizuar opozitën, duke iu thënë bashkëbiseduesëve të tij online që të shohin se ku kanë përfunduar kundërshtarët e tij politikë. Sipas Ramës, kjo e ka një arsye: sepse e marrin lehtë popullin.
“Është arsyeja më bindëse dhe më kuptimplotë e krenarisë që populli shqiptar më kupton më mirë dhe më shumë se ç’mund të pretendoja. Duke më dhënë një mijë e një arsye t’i qëndroj besnik edhe të bëj të pamundurën për të bërë sa më shumë për këtë vend dhe njerëzit e këtij vendi falë besimit dhe pushtetit që buron nga ky popull. U kam thënë atyre që e marrin lehtë dhe miqve në rrjete sociale, që është një popull që të jep ujë në bisht të lugës. Bën një gabim aq monumental saqë mjafton të ndiqni të tjerët gjatë këtyre ditëve se në ç’derexheje janë katandisur për të kuptuar se ç’ndodh kur e merr lehtë këtë popull,”- tha Rama.
Në nisje të fjalës së tij, Rama zbuloi se qeveria ka një synim lidhur me një event sportiv evropian. Sipas tij, qeveria është në diskutim për të sjellë në Tiranë, eventin “Globe Soccer Awards” (çmime që vlerësojnë arritjet në futboll). Rama tha se diskutimet po vijojnë, por ende nuk ka asgjë konkrete.
“Ne ndërkohë, jemi në një diskutim së fundmi për të sjellë në Tiranë, në Shqipëri, por 95% në Tiranë, sepse jemi duke diskutuar e Durrësin e Vlorën si opsione, edicionin evropian të “Globe Soccer Aëards”. Pra, të çmimit të globit të futbollit,"-shtoi kreu i qeverisë.
Lidhur me shqetësimet e qytetarëve, Rama paralajmëroi edhe një plan i ri për 'pastrimin' e hapësirave të zaptuara në kryeqytet.
"Po punojmë për një plan të ri të pastrimit të të gjitha hapësirave brenda në lagje nga të gjitha llojet e zaptimeve duke filluar nga një zaptim i tmerrshëm me trarë dhe marrje e dhënie biletash për parkime. Sepse dikush thotë që unë kam pronë këtu, nuk mund ta kesh ti një pronë aty dhe ta përdorësh pronën si të duash duke u vënë traun atyre qytetarëve që jetojnë aty. Ka probleme, por Tirana nuk është për të thënë “deri kur kështu”, por “sa më shumë kështu”,"- e mbylli Rama fjalën e tij.
Kryeministri kishte kohë që nuk ishte më në rrjetet sociale. Por duket se edhe pas zgjedhjeve të 11 majit, ka vendosur që të mbajë ende aktive platformën e tij të komunikimit me qytetarët./ZËRI