Politikë

Rama dhe 5 ministra vizitë zyrtare në Francë, priten në takim nga Macron. Bisedë kokë më kokë mes liderve

Gjatë kësaj vizite në Francë, Rama do të shoqërohet nga 5 ministra të qeverisë

E.K
Rama dhe 5 ministra vizitë zyrtare në Francë, priten në
Rama dhe Macron

PARIS- Kryeministri Edi Rama është nisur sot në një vizitë zyrtare në Francë, me ftesë të presidrentit Emmanuel Macron, ndërsa shoqërohet nga disa ministra të qeverisë. Në qendër të diskutimeve gjatë këtyre takime, pritet që të jetë promovimi i potencialeve që ka Shqipëria, për zhvillimin e investimeve të huaja, si dhe bashkëpunimi i mundshëm mes dy vendeve në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Sipas njoftimit zyrtar të Kryeministrisë, ditën e premte në orën 8.30, Kryeministri Rama do të zhvillojë një mëngjes pune me Unionin e Sipërmarrësve të Francës MEDEF, nën drejtimin e z. Jean-Paul Agon, president i grupit L’Oréal dhe i komitetit Francë-Shqipëri në MEDEF, me pjesëmarrjen e 35 përfaqësuesve të kompanive prestigjoze franceze, si dhe të ftuar të tjerë nga bota e biznesit.

Gjatë takimit do të prezantohen disa nga fushat prioritare për investime në Shqipëri, me interes të ndërsjellë për të dy vendet dhe më pas kryeministri Rama do të zhvillojë takime individuale me drejtues të sipërmarrjeve pjesëmarrëse.

Të premten, në orën 12.30, do të zhvillohet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes, e më pas në orën 13.00, Kryeministri Rama do të mbërrijë në Pallatin Elysee, ku do të mikpritet nga Presidenti francez Emmanuel Macron me të cilin do të mbajnë edhe një deklaratë për shtyp.

Më pas, në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit francez Macron do të nënshkruhen disa marrëveshje ndërqeveritare dhe memorandume mirëkuptimi mes vendeve.

Në orën 14.45, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Francez Macron do të zhvillojnë një takim kokë më kokë mes tyre.

Axhenda do të vijojë në orën 16.00 me vizitën dhe takimet në STATION F, inkubatori më i madh në botë i startup-eve dhe inovacionit, si dhe me mbledhjen inauguruese të Këshillit të Inovacionit Francë-Shqipëri –CIFA, ku do të marrë pjesë edhe Sekretarja franceze e Shtetit për Industrinë Numerike, përfaqësues të ministrive franceze të Jashtme dhe të Ekonomisë, si edhe operatorë të ndryshëm franceze e shqiptarë në fushën e inovacionit.

Së bashku me Kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar do të jenë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, si dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni.

/ZËRI  

Poll

MOS HUMB