
TIRANË- Kryeministri Edi Rama dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kanë zhvilluar një bisedë telefonike së bashku. Lajmi u bë i ditur nga Zelenskyy përmes një postimi në rrjetet sociale, ndërsa Rama nuk ka dhënë asnjë reagim.
“Kam pasur një bisedë të mirë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Falenderoj qeverinë dhe popullin shqiptar për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës dhe popullit tonë. Ne diskutuam shumë tema, projekte të përbashkëta dhe perspektiva më të gjera”, shkruan Zelenskyy.
Zelensky gjithashtu reagoi për takimin që u zhvillua në Arabinë Saudite mes zyrtarëve amerikane dhe rus, por u përjashtua Ukraina dhe Evropa. Presidenti ukrainas shprehet se çdo bisedë që zhvillohet për Ukrainën duhet të bëhet me pjesëmarrjen e tyre dhe të Evropës.
“Gjithçka në lidhje me Evropën duhet të jetë me pjesëmarrjen e Evropës, dhe gjithçka për Ukrainën duhet të jetë me pjesëmarrjen e Ukrainës. Një vizion i përbashkët dhe hapa të koordinuar janë thelbësore për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ne po punojmë së bashku për të forcuar sigurinë në të gjithë Evropën. Faleminderit për mbështetjen tuaj”, tha presidenti ukrainas./ZËRI