
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha për mediat se një qeveri teknike me kryeministër Edi Ramën është e paimagjinueshme. Ai tha se do të përdoren të gjitha mjetet e mosbindjes civile për largimin e tij që shqiptarët të votojnë të lirë.
"Ai është modeli i dështimit të plotë. Qeveri teknike me Ramën kryeministër, është jashtë çdo imagjinate.Dy gjëra duhet të përsëris këtu, ne jemi forcë demokratike dhe pushtet me dhunë nuk marrim kurrë. Ne jemi forcë demokratike dhe në pushtet vijmë vetëm me votë. Por ne kemi përpara një armik të votës së lirë, Edi Rama dhe ne do përdorim të gjitha mjetet e mosbindjes civile për largimin e tij në mënyrë që shqiptarët të votojnë të lirë", tha Berisha.
Më 7 tetor, opozita protestoi për më pak se 4 orë në rrugët e Tiranës. Nga molotovët e hedhur nga protestuesit u dogj Kryeministria, selia e Partisë Socialiste, Ministria e Brendshme dhe Bashkia e Tiranës. Pas protestës së opozitës në Tiranë, ku u hodhën flakadanë e bomba molotov, janë proceduar penalisht, sekretar i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, kreu i Grupit, Gazment Bardhi dhe sekretari organizativ, Ervin Minarolli. Zyrtarët e PD-së u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme". /ZËRI