Politikë

Publikimi i dosjes së Veliajt dhe ‘të penduarit’, avokatët: Po shkelet ligji, është nxjerrë sekreti hetimor

Sipas avokatëve, Veliaj është ende kryetari i Bashkisë Tiranë në mënyrë legjitime. Ata shtojnë se ai po mbahet në izolim total, nën kushte të ashpra dhe të pajustifikuara kufizuese, si dhe po pengohet të ushtrojë detyrën e tij si Kryetar Bashkie.

F.m
Publikimi i dosjes së Veliajt dhe ‘të penduarit’,
Erion Veliaj

TIRANË- Avokatët e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj pretendojnë se me publikimin e dosjes në media, është shkelur ligji dhe është nxjerrë sekreti hetimor. Në një reagim pas publikimeve të dëshmive të njëpasnjëshme, sipas avokatëve të Veliajt, të drejtat e tij si edhe ato të qytetarëve që ai përfaqëson, mbrohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Sipas avokatëve, Veliaj është ende kryetari i Bashkisë Tiranë në mënyrë legjitime. Ata shtojnë se ai po mbahet në izolim total, nën kushte të ashpra dhe të pajustifikuara kufizuese, si dhe po pengohet të ushtrojë detyrën e tij si Kryetar Bashkie.

Ditët e fundit ka pasur një sërë emrash, për të cilët është raportuar se kanë pranuar të bashkëpunojnë me drejtësinë në lidhje me dosjen e ngarkuar kundrejt çiftit Veliaj. Këtu mund të përmendim biznesmenin Gentian Sula, bashkëshorten e Elman Abules, Marisa Nito, ish-drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Abigeila Voshtina, ka pranuar para Prokurorisë së Posaçme (SPAK) se ka nënshkruar kontrata të paligjshme në vlerën e 30 mijë eurove për aktivitetin “Festivali Ndërkombëtar i Vallëzimit”, duke theksuar se veprimet janë kryer nën ndikimin e drejtpërdrejtë të bashkëshortes së kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës Erion Veliajt, Ajola Xoxës, si dhe Adela Kondakçiu, financiere në kompaninë e Ajola Xoxës.

Reagim i avokatëve të Erion Veliajt:

Ne, avokatët mbrojtës të z. Erion Veliaj, shprehim shqetësimin tonë të thellë për përpjekjet e përsëritura, për të shndërruar një procedim penal në një gjyq publik spektakolar përmes përdorimit të mediave të lidhura me SPAK dhe shkeljeve flagrante të ligjit, siç është zbulimi i paligjshëm i sekretit hetimor. Artikujt me porosi, të paraqitur si “zbulime ekskluzive”, nuk synojnë zbardhjen e së vërtetës, por ndërtimin e një narrative të gatshme publike përpara se çështja të provohet me fakte në një sallë gjyqi.

Këto ditë, detaje të tjera u nxorën në media, përfshirë edhe lidhur me dëshmitë e dëshmitarëve.

Në një shtet demokratik dhe evropian, drejtësia zhvillohet brenda institucioneve të drejtësisë, jo në tituj gazetash, rrjete sociale apo “seriale kriminale” të prodhuara nga media të kontrolluara përmes rrjedhjeve anonime dhe të paligjshme. Edhe më shqetësuese është fakti që këto rrjedhje ndodhin gjatë fazës së hetimeve paraprake, e cila është nën mbrojtjen e detyrueshme të organit që e administron, prokurorisë. Pikërisht këtu dështimi është i pakundërshtueshëm: jo vetëm që nuk është mbrojtur integriteti i procedurës, por është shkelur rëndë parimi i sekretit hetimor, duke e kthyer procesin në një farsë publike.

Ne po dokumentojmë çdo akt që jo vetëm shtrembëron këtë procedim penal, por që gjithashtu cenon rëndë rendin kushtetues dhe standardet evropiane të drejtësisë mbi të cilat mbështetet rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo çështje përfaqëson një regres të dallueshëm dhe të dëshpëruar drejt një epoke parademokratike.

Veliaj është Kryetari legjitim dhe i zgjedhur në mënyrë demokratike i Bashkisë së Tiranës, i votuar nga mbi 160,000 qytetarë. Megjithëse të drejtat e tij, si edhe ato të qytetarëve që ai përfaqëson, mbrohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ai vijon të mbahet në izolim total, nën kushte të ashpra dhe të pajustifikuara kufizuese, që e pengojnë të ushtrojë detyrën e tij si Kryetar Bashkie. Ne jemi të bindur se kur kjo ndjekje penale të vihet përballë një organi të paanshëm gjykimi, ajo do të shembet dhe do të zbulohet për çfarë është në të vërtetë, një ndjekje penale që ka kthyer mbrapsht në mënyrë thelbësore përparimin e Shqipërisë drejt përputhjes me standardet evropiane të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, duke u mohuar njëkohësisht qytetarëve të Tiranës shërbimin e Kryetarit të tyre dhe duke shkaktuar dëm të madh për Tiranën dhe qytetarët e saj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, akuzohet për 9 raste korrupsioni pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Ai u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'.

Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar./ZËRI/

Poll

MOS HUMB