Politikë

Pse u mbajt i fshehtë koncensioni Thumanë-Kashar? Përplasje mes Shehajt dhe Metes: Mos do medalje…

Deputeti pyet Metën se përse koncesioni Thumanë Kashar është mbajtur i fshehtë, pasi në raportin e publikuar me një vit e gjysmë më vonesë, ky koncesion mungon, nuk është i përfshirë

E.K
Pse u mbajt i fshehtë koncensioni Thumanë-Kashar? Përplasje mes
Shehaj dhe Mete

TIRANË- Është zhvilluar nën tone të forta, interpelanca e sotme në Kuvend, e kërkuar nga deputeti Agron Shehaj, me ministrin e Financave, Ervin Mete, sa i takon kontratave koncensionare në vendin tonë, dhe pse nuk ka një raport të punëve që kompanitë kanë kryer. Sipas Shehajt, Ministria duhet të ketë një mekanizëm kontrolli në lidhje me ecurinë e këtyre punimeve, dhe nuk duhet të mjaftohet vetëm me pagesat e faturave.

Deputeti i opozitës u ndal edhe te koncesioni i rrugës Thumanë-Kashar, duke thënë se ky koncesion është mbajtur i fshehtë dhe nuk është publikuar në raport. Nga ana e tij, ministri Meta u shpreh se Ministria e Finanacave nuk është autoritet kontraktor për çdo koncesion, dhe nuk mund ti kërkohet llogari për marrëveshje që janë lidhur nga dikastere të tjera. Ministri tha gjithashtu se në Shqipëri janë 11 kontrata PPP me mbështetje buxhetore dhe gjatë 2023 nuk është lidhur asnjë kontratë e re dhe as në 2024 nuk ka ndonjë kontratë të re.

Po ashtu, deklaroi se dy koncesione ku Ministria e Financave është autoritet kontraktor po shkojnë drejt mbylljes. Bëhet fjalë për pullat fiskale dhe koncesionin e markimit të karburanteve.

"Në gusht të këtij viti, pra muajin tjetër, përfundon koncesioni i markimit të karburanteve dhe shërbimi kalon tek Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në momentin që ky koncesion do të përfundojë, ne kemi vendosur që edhe tarifa e aplikuar nga koncesionari të hiqet. Pra, nuk do të ketë vazhdim të aplikimit të tarifës së markimit tek qytetarët dhe bizneset. Kostot e vazhdimit të shërbimit do të përballohen nga buxheti i shtetit. Gjithashtu, sa i përket koncesionit tjetër, atij të pullave fiskale, Ministri i Financave vuri në dukje se për miratim në seancën e fundit plenare, atë të ditës së nesërme janë ndryshimet ligjore për të hequr koncesionarin nga dispozitat e ligjit të akcizave, si dhe për të hequr prerogativat e koncensionarit nga ky ligj. Ky shërbim nga 1 Janari 2025 kalon në menaxhim shtetëror. Synimi ynë është që në momentin që ky shërbim kalon në menaxhim shtetëror të ofrohen tarifa më të ulëta se ato që aplikohen nga koncesionari, çka besojmë do të jetë lehtësi për komunitetin e biznesit,"-njoftoi ministri.

DEBATI NË SALLË:

Shehaj: Pavarësisht miliarda eurove të PPP ka një mungesë totale informacioni mbi respektimin e kontratave koncesionare. Ne dimë sa para jep shteti koncesionarëve, por nuk kemi asnjë informacion mbi ecurinë e investimeve që privatet duhet të kishin bërë. Nuk dimë nëse këto investime janë bërë brenda afateve. Ne nuk dimë nëse koncesionari ka plotësuar kushtet e kontratës. Këto kontrata janë hartuar në interes të koncesionarëve dhe jo qytetarëve. Vetë kontratat nuk kanë logjikë ekonomike të përbashkët. Rruga e Arbrit psh, një investim prej 74 km, në terren të vështirë, investimi i parashikuar 265 mln euro. Rruga Thumanë Kashar 20 km, fushore, 224 mln euro. Si ka mundësi kjo? Mos vallë janë fryrë kostot e rrugës Thumanë -Kashar? A keni bërë verifikime për këtë? A keni monitoruar këtë kontratë koncesionare se në raportin që keni publikuar me një vit e gjysmë vonesë mungon koncesioni Thumanë Kashar. Do të doja të dija pse e keni mbajtur të fshehur këtë koncesion.

Mete: Janë autoritetet kontraktore që monitorojnë zbatimin nëpërmjet njësive të tyre të menaxhimit të kontratave dhe janë ato që raportojnë në ministrinë e Financave që në vijim bëhet ky raport. Ne do hartojmë dokument të risqeve fiskale, synimi ynë është të publikohet në shtator dhe do të jetë i emërtuar “deklarata e risqeve fiskale”. Ne sot kemi 11 kontrata PPP me mbështetje buxhetore dhe gjatë 2023 nuk është lidhur asnjë kontratë e re dhe as në 2024 nuk kemi ndonjë kontratë të re. E kemi nxjerrë me numrin më të madh të kontratave. Nëse nuk ka ndonjë të paraportuar aty, nuk e ka kontraktuar autoriteti kontraktor. Keni të gjithë tagrin siç u përgjigja unë jo nga shkurti në qershor, por në 3 javë të kërkoni tek autoritetet kontraktore të gjitha shpjegimet që doni. Unë besoj se është e rëndësishme që të përcjellë në rolin si autoritet kontraktor për 2 koncensione, se ato po mbyllen dhe do të ketë lehtësim për qytetarët. Do të hiqet tarifa e markimit, do të lehtësohet ajo e pullave fiskale.

Shehaj: Për përgjegjësitë e tjerëve i kam thirrur në interpelancë. Ministri i Financave do medalje se tha para se të vija unë në zyrë raporti nuk publikohej fare. Nuk janë të gjitha, janë sa për të larë gojën por të paktën janë publikuar. Raportin nuk e duam për një çështje burokratike. Duhet për të monitoruar pagesat që dalin nga zyra juaj. Duam të dimë, ore këto koncensione janë monitoruar apo jo. Prandaj duhet, nuk është burokraci jo për të bërë fatura kot. Prandaj duhet raporti. Fajin dhe përgjegjësinë e keni ju, edhe nëse ministrja e Transportit nuk jep informacione, shkoni në SPAK. Pse nuk vajte në SPAK? TVSH zoti ministër, keni paguar 4.5 mln euro që nuk duhej paguar. Qytetarët shqiptarë nuk e paguajnë për shërbimet shëndetësore. Ju me ç'të drejtë e paguani për koncensionarin? Pse keni harxhuar 4.5 mln euro?/ZËRI

Poll

MOS HUMB