Politikë

Protesta e 18-të e opozitës zgjat vetëm disa minuta, qytetarët hedhin vezë në drejtim të Bashkisë së Tiranës

Në ndryshim nga protestat e tjera nuk ka patur tensione dhe as ndezje gomash ose hedhje flakadanësh në drejtim të godinës.

f.t
Protesta e 18-të e opozitës zgjat vetëm disa minuta,
pamje nga vendngjarja

TIRANË-Ditën e sotme është zhvilluar protesta e radhës e opozitës para Bashkisë së Tiranës. Qytetarët u mblodhën para godinës së bashkisë rreth orës 11:00 ndërsa mbajtën fjalimet e tyre, por tubimi zgjati vetëm disa minuta. Pak nga fillimi i protestës qytetarët kanë hedhur vezë në drejtim të bashkisë së Tiranës.

Nga protesta para bashkisë, foli edhe këshilltari i PL, Tedi Blushi i cili komentoi sërish përleshjen fizike me këshilltarin socialist Halit Valteri. Ai tha se u mbajt për më shumë se 5 orë në komisariat për ta trembur. Blushi u shpreh se ka ardhur koha për aksion politik që do të largojë nga pushteti mazhorancën.

“Këtyre horrave do ti tregojmë vendin. Një kryebashkiak që vjen me antiplumb nuk është trim. Trima jeni ju, sepse në zemrat tuaja janë mijëra e mijëra patriotë që do ti tregojnë vendin këtej regjimi. Më mbyllën 5 orë në komisariat dhe menduan se do më trembnin aty, por e kanë marrë përgjigjen të gjithë narkopolicët. Duke zbritur nga shkallët takova një polic, që është këtu, por nuk e identifikoj dot. E di si më tha? E di ti pse ne vijmë me kasketa? Sepse kemi turp ti dalim fëmijëve përpara, kemi frikë se kur të shkojnë në shtëpi do na pështyjnë prindërit tanë”, tha Tedi Blushi.

Ish-deputeti i PD, Belind Këlliçi vijoji me denoncimet e tij për skemën 5D. Ndërkohë edhe ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu gjatë protestës para Bashkisë së Tiranës, kërkoi dorëheqjen e Erion Veliajt, duke thënë se ‘kolegët e tu s’të mbrojnë dot”. Balliu i ka bërë thirrje policëve që të bashkohen në protestë dhe të mos qëndrojnë para godinës së Bashkisë së Tiranës.

Në ndryshim nga protestat e tjera nuk ka patur tensione dhe as ndezje gomash ose hedhje flakadanësh në drejtim të godinës. Opozitarët kërkojnë largimin e kryebashkiakut, Erion Veliaj, pas arrestimeve të SPAK në kuadër të dosjes “PD”, që çoi në pranga drejtorë të rëndësishëm të bashkisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB