Politikë

Projektligji për riprodhimin dhe surrogacinë, Berisha: Nismë monstruoze dhe antishqiptare

Berisha shtoi se kryeministri Edi Rama ka angazhimin e tij për rrënimin e këtij kombi ku theksoi se në themelin e shoqërisë është familja. 

f.t
Projektligji për riprodhimin dhe surrogacinë, Berisha: Nismë
Sali Berisha

TIRANË-Ministria e Shëndetësisë ka bërë gati një projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” që ka si qellim garantimin e të drejtave seksuale dhe riprodhuese të individëve. Projektligji ka sjellë debate dhe reagime të shumta që janë kundër kësaj nisme. Së fundmi edhe ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur kundër këtij ligji. Sipas tij ky projektligj është nismë monstruoze, çnjerëzore dhe antishqiptare të një regjimi që i ka vënë vetes mision historik shkatërrimin e kombit shqiptar. Berisha shtoi se kryeministri Edi Rama ka angazhimin e tij për rrënimin e këtij kombi ku theksoi se në themelin e shoqërisë është familja. 

Fjala e ish-kryeministrit Sali Berishës:

Një përshëndetje të përzemërt kam për deputetin Tritan Shehu, deputetin Petrit Vasili dhe të gjithë ata, të cilët në momentet më të para të shfaqjes së kësaj nisme, do ta quaja pa abuzim në semantikë, nismë monstruoze, çnjerëzore, antishqiptare të një regjimi që i ka vënë vetes mision historik shkatërrimin e kombit shqiptar më shumë se rreth 40 pushtime që ky komb ka njohur në shekuj dhe mijëvjeçarë. Regjimit të Edi Ramës.

Pas instalimit të një kuadri politik shpopullues të këtij vendi, kuadër që ju imponoi rreth 35 përqind të shqiptarëve të braktisin vendin e tyre në një hark kohor 8-vjeçar. Kuadër që zëvendësoi sigurinë dhe ligjin me antishtetin dhe narkoshtetin, tani në përputhje të plotë me doktrinën e Çubrilloviçit, i cili në epiqendër të betejës kishte nënën shqiptare, ky famëzi që në histori ka ekuivalent vetëm Edi Ramën, kishte përcaktuar si objektiv kryesor nënën shqiptare për të shkatërruar kombin shqiptar.

Edi Rama në angazhimin e tij, ky antishqiptar në çdo aspekt, në angazhimin e tij për rrënimin e këtij kombi zbret tani në themelimin e kombit. Në themelin e shoqërisë, në shenjtërinë e kombit dhe të shoqërisë, familja. Ai zbaton doktrinën e një monstre tjetër të njerëzimit pas Karl Marksit, Xhorxh Sorosit. Midis doktrinës komuniste për familjen në finalen e ndërtimit të shoqërisë dhe doktrinës së Xhorxh Sorosit, ndryshojnë vetëm termat, por rezultatet janë të njëjta.

Aborti, kushtet e reja

Sipas projektligjit ndërprerja e shtatzënisë kryhet në një institucion shëndetësor të akredituar publik ose jo publik, që plotëson kushtet e përcaktuara në këtë ligj dhe në udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë, kryhet sipas protokolleve të miratuara. Vendimi për ndërprerjen e shtatzënisë merret të paktën 3 ditë pas marrjes së informacionit. Në rast se afati prej 3 ditësh bën që të tejkalohen afatet e përcaktuara në këtë ligj, mjeku mund të vendosë që ky afat të mos respektohet. Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë mund të kryhet brenda katërmbëdhjetë javëve të para të shtatzënisë, me kërkesë të gruas shtatzënë dhe duhet të plotësojë kërkesat e mëposhtme:

a) Të kryhet nga një mjek specialist obstetër gjinekolog.

b) Të kryhet me pëlqimin e shprehur me shkrim të gruas shtatzënë.

c) Të kryhet me pëlqimin e prindit ose kujdestarit ligjor për të miturat nën moshën 16 vjeç.

ç) Të miturat e pamartuara mbi 16 vjeç mund të japin vetë pëlqimin për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë, por të paktën njeri nga prindërit ose kujdestari ligjor duhet te informohen per vendimin e saj. Ky informim nuk do të realizohet nëse e mitura ka arsye bindëse se njoftimi do të çojë në rrezik të qartë të dhunës në familje, kërcënime, detyrim, keqtrajtim ose braktisje.

Mjeku të cilit i kërkohet ndërprerja vullnetare e shtatzënisë, që në vizitën e parë duhet të informojë gruan për rreziqet mjekësore që sjell ndërprerja e shtatzënisë, si dhe problemet e mundshme shëndetësore të ndërhyrjes mjekësore. Të drejtat, ndihmën dhe avantazhet e garantuara me ligj për familjen, nënën dhe fëmijën, si dhe për mundësitë e adoptimit birësimit të fëmijëve që priten të lindin.

Përveç abortit, përfshirja në projektligj i të drejtës së një gruaje për t’u bërë nënë zëvendësuese ka ngjallur mjaft debate. Nënë zëvendësuese quhet një grua që mbetet shtatzënë nëpërmjet një embrioni të krijuar me fertilizim invitro, dhe mban në uterusin e saj deri në lindje një fetus për llogari të një ҫifti tjetër, i cili e ka të pamundur të lindë fëmijë në rrugë normale. Aktualisht në Shqipëri fertilizimi invitro është rregulluar me ligj prej më shumë se dy dekadash, dhe kryhet thuajse tërësisht në institucionet shëndetësore private. Por në disa të tilla, edhe pse nuk parashikohet në ligj, prej disa kohësh kryhen edhe procedura të riprodhimit mjekësor të asistuar, me nëna zëvendësuese, ose siç quhet ndryshe “surrogacia”. 

Ministria e Shëndetësisë në një reagim publik pas qëndrimeve kritike mbi elementët e rinj që sjell projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, u shpreh se ky dokument i është nënshtruar konsultimit publik që do të ndihmojë në përthithjen e mendimeve të grupeve të interesit dhe garanton se në fund të këtij procesi projektligji do të reflektojë dhe përfundimet e nxjerra nga këto konsultime./ZËRI

Poll

MOS HUMB