Politikë

PROFIL- Nga grisja e fletëve të votimit, te solidarizimi pas dorëheqjes nga opozita, 3 vitet e Lindita Nikollës në krye të Kuvendit

Nikolla gjatë njoftimit të dorëheqjes së saj, pati një lutje për kundërshtarët, që të mos spekulonin mbi arsyet e largimit të saj, që për të ishin tërësisht të lidhura me gjendjen shëndetësore

E.K
PROFIL- Nga grisja e fletëve të votimit, te solidarizimi pas
Dorehiqet Lindita Nikolla

TIRANË- Pas 3 vitesh në krye të Parlamentit, Lindita Nikolla në mënyrë të beftë njoftoi dje largimin e saj nga posti i dytë më i rëndësishëm në hirearkinë e institucioneve në vend, për arsye shëndetësore. Nikolla mori fjalën pothuajse në fund të seancës maratonë në Kuvend, ku pati një lutje për opozitën dhe kundërshtarët e saj politik, që të mos spekulohej në lidhje me arsyet e largimit të saj. Dukshëm e prekur, Nikolla tha se gjendja shëndetësore me të cilën po përballet, ia pamundëson asaj vazhdimin e ushtrimit të detyrës në krye të Kuvendit.

“E mora fjalën në fund të këtij sesioni të gjashtë të legjislaturës X-të të Kuvendit të Shqipërisë, për të ndarë me të gjithë ju një informacion që në respekt të institucionit besoj se duhet ta jap duke ju parë në sy. Të dashur kolegë të maxhorancës parlamentare dhe të respektuar kolegë të opozitës parlamentare! 

Këtu, sot, mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të Kuvendit, si rezultat i një situate personale shëndetësore, e cila ma bën të pamundur ta kryej detyrën e lartë të funksionarit të dytë të shtetit me angazhimin kërkues që kjo detyrë kërkon. Jam përpjekur të jap më të mirën time çdo ditë, për të siguruar mbarëvajtjen e punës së këtij parlamenti.

Pa i hyrë në hak askujt në këtë sallë. Nëse dikujt i kam krijuar një përshtypje tjetër e siguroj se nuk ka qenë në asnjë mënyrë qëllimi im. Nëse me ndokënd kam gabuar padashje i kërkoj ndjesë. Po e mbyll me lutjen që të mos spekulohet politikisht me këtë largim timin të padëshiruar, por të pashmangshëm, sepse besoj që nuk ka asgjë më njerëzore, se sa pamundësia që më detyroi të ndërmarr këtë hap”, tha mes të tjerave Lindita Nikolla, ndërsa nuk kurseu një falenderim publik për kryeministrin Edi Rama, për besimin që i dha 3 vite më parë duke e propozuar në detyrën e rëndësishme. Detyrë dhe marrëdhënie me kryeministrin, që e shndërroi shpesh Nikollën në këto vite, në një ‘tabelë qitje’ për opozitën, të cilët e konsideronin një ‘kukull të Ramës’.

Pavarësisht dorëheqjes si kryetare Kuvendi, Lindita Nikolla do të vazhdojë që të gëzojë mandatin e deputetes, ndërsa tha se këtë kohë do të mund ta shfrytëzojë edhe për të qenë më pranë zgjedhësve që e mbështetën 3 vite më parë.

“Tanimë do të kem më shumë kohë e mundësi t’u qëndroj unë më pranë si familjes, ashtu edhe zgjedhësve të mi.  Një mirënjohje e falenderim të veçantë kryetarit dhe kryeministrit tonë, si edhe shokut tim tanimë të vjetër të armëve, Edi Ramës, pa besimin dhe mbështetjen e tij të përhershme, qysh kur mora drejtimin e njësisë administrative numër 1 të Tiranës 17 vite më parë, nuk do të kisha arritur dot të bëja kaq shumë rrugë.  Gjithë të mirat për ju dhe famijet tuaja. Faleminderit edhe njëherë”, përmbylli fjalimin e saj Nikolla, që gjeti dhe solidaritetin e kolegëve opozitarë, pavarësisht përplasjeve që mund të kenë pasur ndër vite.

Pavarësisht se Nikolla këmbënguli, se doreheqja e saj lidhet tërësisht me arsye personale dhe shëndetësore, në rrjet nuk kanë munguar spekulimet, se ky largim lidhet me Kongresin e Partisë Socialiste që pritet të mbahet ditën e nesërme, e ku surprizat nga kryeministri Edi Rama, janë tërësisht të pritshme.

Lindita Nikolla u zgjodh kryetare parlamenti në 10 Shtator të vitit 2021, me votat e socialistëve, dhe me opozitën që grisi fletët e votimit në sallë në shenjë proteste. Rruga e Nikollës, që prej asaj dite nuk do të ishte e lehtë, edhe për shkak të autoritetit të saj të munguar përballë shumicës socialiste në sallë, që e kishte zgjedhur dhe mbështetur. Më herët Nikolla kishte mbajtur poste drejtuese në fushatën e socialistëve, por edhe në qeveri.

PROFIL- Nga grisja e fletëve të votimit, te solidarizimi pasPROFIL- Nga grisja e fletëve të votimit, te solidarizimi pas

Në vitin 2013, Lindita Nikolla u emërua nga Kryeministri Edi Rama si Ministre e Arsimit dhe Sportit, ndërsa edhe në këtë detyrë u përball me disa sfida, përfshirë protestat studentore për ligjin e arsimit të lartë.

Lindita Nikolla ka lindur në Tiranë, më 22 Tetor 1965. Ajo është e martuar me Ligor Nikollën dhe ka një vajzë që quhet Livia. Nikolla, në korrik 2010 ka kryer studimet Master në Administrim Publik, drejtimi Pushtet Ekzekutiv, pranë Albanian University dhe në vitin 1989 ka përfunduar studimet universitare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, dega Matematikë, Universiteti i Tiranës. Ajo ka hyrë në politikë në vitin 2003.

Gjatë viteve 2003–2006 është zgjedhur si Këshilltare e Këshillit të Njësisë Bashkiake Nr.1, Tiranë. Është zgjedhur për dy mandate në periudhën 2007-2011 dhe 2011-2013, Kryetare e Njësisë Bashkiake Nr.1 Tiranë. Në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, ajo u zgjodh deputete e qarkut të Tiranës. Në zgjedhjet e vitit 2021, Nikolla ishte drejtuese politike e socialistëve në qarkun e Lezhës, ku arritën një rezultat mjaft të mirë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB