Politikë

Samiti/ Rama: S’jemi tranzit për emigrantët. Scholz: Sa më shpejt në BE. Von Der Leyen: I kemi sytë në Izrael

Kreu i qeverisë Edi Rama, në një konferencë të përbashkët me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidenten e Komisionit të Europës, Von der Leyen, deklaroi se është mirënjohës që Samiti i Procesit të Berlinit u mbajt në Tiranë.

D.XH
Samiti/ Rama: S’jemi tranzit për emigrantët. Scholz: Sa më
Kryeministri Rama, në konferencë me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryetaren e KE-së, Von Der Leyen

TIRANË - Në një konferencë të përbashkët me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidenten e Komisionit të Europës, Von der Leyen, kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se është falënderues, që Samiti i Procesit të Berlinit u zhvillua në Tiranë.  Rama deklaroi se Samiti kishte diskutime, që rezultuan të frytshme.

Edi Rama shtoi se Shqipëria nuk është vend tranzit, për emigrantët nga Lindja e Mesme. Kreu i qeverisë vlerësoi se vendi ynë sidoqoftë, ka qenë gjithmonë mikpritës ndaj njerëzve, që kanë ikur nga vendi i tyre, për shkak të luftrave apo regjimeve. 

“I jam mirënjohës Zotit, për këtë ditë të mrekullueshme për Shqipërinë. Nuk do gjeja dot fjalët, për të falënderuar kancelarin, që ishte kaq i hapur, për ta sjellë Samitin e Procesit të Berlit në Tiranë. Nuk do gjeja fjalët për të falënderuar gjithashtu edhe presidenten e Komisionit të Europës. Ky është një moment aspak i lehtë. Gjërat rreth nesh nuk po shkojnë mirë, duke pasur parasysh se në Lindjen e Mesme, kanë nisur vatra konfliktesh. Ne kemi farkëtuar bashkëpunimin me BE-në dhe gjithë Ballkani Perëndimor e sheh të ardhmen drejt Bashkimit Europian. 

Ne nuk jemi një vend tranzit, për emigrantët nga Lindja e Mesme. Nuk jemi problematikë në këtë drejtim. Shqiptarët janë shembuj të mikpritjes. Shqipëria ka pritur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të shpëtuar nga ferri nazist, kemi pritur shqiptarët e Kosovës kur ikën nga diktatura e Slobodan Millosheviçit, pastaj pritëm edhe afganët, kur pushtetin në Afganistan e morën talebanët. Jemi gati të mikpresim, sa herë është e nevojshme",tha Rama.

Në fjalën e saj, presidentja e KE-së, Ursula von Der Leyen deklaroi se synim i BE-së, është që të dyfishojë ekonominë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Von Der Leyen theksoi se pavarësisht entuziazmit, Shqipëria dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duhet që të përparojnë me reformat.

Presidentja e KE-së Der Leyen foli edhe për konfliktin mes Izrelit dhe Gazës, duke theksuar se sytë e Europës e botës janë në Lindjen e Mesme. Ajo u shpreh se Izraeli ka të drejtë ta mbrojë veten sipas ligjeve ndërkombëtare, duke shtuar se duhet siguruar edhe jeta e civilëve në Gaza. Presidentja e KE-së tha se BE do të ndajë 75 milionë euro për Rripin e Gazës. 

“Unë kam thënë se Samiti i Procesit të Berlinit do të jetë në duar të mira dhe besoj se kam pasur të drejtë. Pavarësisht optimizmit, ka shumë punë për të bërë. Duam që të rrisim potencialin dhe ekonominë në Ballkanin Perëndimor. Duhet që në BE të hapemi fillimisht me njëri-tjetrin e më pas të hapim totalisht ekonominë. 

Dua të përmend këtu edhe luftën mes Izraelit dhe Gazës. BE nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj asaj që po ndodh në Lindjen e Mesme. Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten në bazë të ligjeve ndërkombëtare. Ne nuk duam krizë humanitare në Izrael apo Gaza. Ne kemi ndarë një fond 75 milionë euro, për banorët në Gaza”, deklaroi Von Der Leyen.

Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi se marrëveshjet e nënshkruara mes vendeve në Samit, janë të rëndësishme që të zbatohen. Scholz shtoi se duhen zgjidhur problemet e brendshme, që Shqipëria e rajoni të integrohen në Bashkimin Europian.

“Ne e dimë dhe e kuptojmë shumë mirë situatën në Ballkanin Perëndimor. Rajoni duhet të shikojë nga e ardhmja e jo nga e shkuara. Duhet që gjitha problemet që janë këtu, të zgjidhen.

Nuk mund të ketë integrim në BE, pa zgjidhur problemet që gjenden këtu. Ne vlerësojmë reformat që janë ndërmarrë dhe bëjmë thirrje për vazhdim të reformave të mëtejshme”, deklaroi Scholz.

Në Tiranë, u mbajt sot Samiti i Procesit të Berlinit, ku të pranishëm ishin liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB