Politikë

Probleme me shpërndarjen e votave në diasporë, AKEP kërkesë KQZ: Na tregoni kontratën me kompaninë postare

Kjo, pasi kompania nuk po e dorëzon në çdo rast zarfin zgjedhor, në përputhje me rregullat dhe personalisht në dorën e votuesit.

I.F
Probleme me shpërndarjen e votave në diasporë, AKEP
Votat e diasporës

TIRANË- Agjencia e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) pas problemeve të raportuara ka ndërhyrë në procesin e zgjedhjeve në diasporë, duke i kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një kopje të kontratës me operatorin postar DHL. Kontrata nuk është bërë ende publike nga KQZ, duke bërë që Partia Socialiste dhe Demokratike të ankohen për shkelje të rregullave nga ana e kompanisë.

Kjo, pasi kompania nuk po e dorëzon në çdo rast zarfin zgjedhor, në përputhje me rregullat dhe personalisht në dorën e votuesit.

Kërkesa e plotë e AKEP:

“Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), bazuar në përcaktimet e ligjit nr. 46/2015 "Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë", është organi mbikëqyrës i sektorit të shërbimeve postare në RSH dhe ndjek zbatimin e detyrimeve ligjore dhe nënligjore nga çdo subjekt që ofron shërbime postare, përfshirë trajtimin e ankesave të përdoruesve të këtyre shërbimeve në rolin e palës dërguese dhe/ose palë marrëse të objekteve postare.

Nisur nga ankesat e përcjella në AKEP si dhe për shkak të interesit të lartë në lidhje me procesin e shpërndarjes së objekteve postare ndërkombëtare për zgjedhjet parlamentare 2025, që përfshin jo vetëm KQZ por edhe qytetarët shqiptarë në rolin e palës marrëse dhe njëkohësisht të palës dërguese të këtyre objekteve postare ndërkombëtare, në mënyrë që AKEP së ushtrojë kompetencat në mbrojtje të interesave të përdoruesve, kërkojmë nga ana juaj:

Depozitimin e një kopje të kontratës së lidhur ndërmjet KQZ dhe DHL, si dhe

Të na vini në dijeni në lidhje me çdo problematikë të hasor gjatë zbatimit të kontratës për këto objekte postare

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin”.

Në lidhje me këtë rast, ZËRI ka kërkuar informacion nga KQZ, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ndërsa kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha për publikun se rastet problematike nuk janë më shumë se 100, ndërsa tha se zarfi nuk i lihet në dorë zgjedhësit. Lidhur me rastet kur zgjedhësve i ka shkuar zarfi pa fletën e votimit, ai tha se nuk dihet nëse ky është gabim i KQZ-së./ZËRI

Poll

MOS HUMB