
SHKUP- Këtë të hënë dhe të martë, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, po zhvillohet takimi i liderëve të Bashkimit Evropian-Ballkani Perëndimor, kushtuar Planit të Zhvillimit. Në takim do të marrë pjesë edhe komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos. Pasditen e kësaj të hëne, sipas agjendës, do të mbahet një takim kokë më kokë midis kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe komisioneres, i ndjekur nga një takim dypalësh me delegacione të zgjeruara.
Të martën do të mbahen dy panele, i pari prej të cilëve do t’i kushtohet Planit të Zhvillimit për Ballkanin Perëndimor, ku kryeministri Mickoski dhe komisionerja Kos do të mbajnë fjalime, të ndjekura nga një konferencë për media. Paneli i dytë do t’i kushtohet mekanizmave specifike dhe mbështetjes për zbatimin e Planit të Zhvillimit, ku do të marrin pjesë ministra, përfaqësues të BE-së, organizatave rajonale dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në Shkup do të jenë edhe udhëheqësit kryesorë të Ballkanit Perëndimor, përfshirë kryeministrat Edi Rama, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Pjesëmarrës në takim janë edhe ministrat për Çështjet Evropiane dhe të deleguar nga Komisioni Evropian, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm, organizata rajonale dhe banka ndërkombëtare, si BEI, BERZH dhe Banka Botërore./ZËRI