
TIRANË- Sekretariati i Etikës në Kuvend ka përjashtuar me 30 ditë nga punimet e Parlamentit, deputetin e Partisë Demokratike Flamur Noka. Ndërkohë që deputeti Bledjon Nallbati është përjashtuar me 20 ditë dhe Saimir Korreshi me 5 ditë.
Të tre deputetët u përfshinë në situata të dhunshme në seancën e të hënës në Kuvend. Deputeti Flamur Noka tentoi të godiste me grusht një prej punonjësve të gardës, si dhe i mbylli me forcë mikrofonin deputetit Vullnet Sinaj.
Po ashtu deputetët e opozitës iu frynë bilbilave dhe pamundësuan seancën plenare, e cila zgjati jo më shumë se 7 minuta. Me ndryshimin e rregullores së Kuvendit nga ana e socialistëve, është rritur masa ndëshkimore për deputetët që kryejnë akte dhune në seancat plenare.
Prej 21 Tetorit, opozita ka nisur një skenar për bllokimin e Kuvendit, dhe prej asaj kohe asnjë prej tyre nuk është zhvilluar normalisht. /ZËRI