Politikë

Pensionet në bankë/ Rama liston risitë: AI do përdoret për tenderat dhe evazionin fiskal

Kjo sipas tij bëhet për të ulur mundësitë e korruptimit apo shpërdorimit të detyrës nga funksionarët publikë.

k.m.
Pensionet në bankë/ Rama liston risitë: AI do përdoret
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS ka paralajmëruar dhe risitë që do të vijnë në vitin 2024 sa i përket pensioneve, por dhe Inteligjencës Artificiale. Rama u shpreh se nga viti 2024, Qeveria synon të fusë sistemin AI në tenderat publikë dhe evazionin fiskal. Kjo sipas tij bëhet për të ulur mundësitë e korruptimit apo shpërdorimit të detyrës nga funksionarët publikë. Gjatë fjalës së tij kryesocialisti u shpreh se vitin që vjen pensionistët do të mund ta marrin pensionin në bankë, pa pasur nevojë të presin në radhë apo të bien pre e skemave të mashtrimit. 

Edi Rama: Po për tenderat? Në Shqipëri zhvillohet një numër tenderash që është sa një bashki e mesme dhe numri i komisionerëve të tenderave është sa numri i banorëve të një bashkie të mesme. Proceset janë arkaike pavarësisht se ligji i prokurimeve ka avancuar. Do i çojmë parlamentit një projekt të ri për futjen e inteligjencës artificiale për ndryshimin e strukturës së prokurimeve. Brenda këtij mandati duam të prezantojmë sistemin e prokurimeve me AI. Do të thotë se do të prokurohet pa letra. Çdokush që do të jetë më sipër nuk do të mund dot që të influencojë tenderin. Të dhënat e çdo kompanie do të merren me inteligjencën artificiale. E gjitha do të jetë transparente për të gjithë. Po ashtu ne kemi hyrë në një proces që është më i vështiri për atë që thashë më parë. Mirë dakord që pushteti bën modernizimin në sistemin e tij. Po sistemin gjyqësor kush e merr përsipër? Sistemi ynë gjyqësor ka një mentalitet aq të vjetër saqë edhe tenderat për shërbimet e internetit janë të pavarura nga shteti. Ndërkohë që me inteligjencën artificiale mund të bëjmë përshpejtimin e të gjithë proceseve. Një tjetër drejtim kur do të përdorim AI, tani, që nga janari është ndjekja e evazionit në transaksionet financiare të të gjitha niveleve. Sistemi i fiskalizmit të të gjithë biznesit ka nevojë për monitorim sepse e dini shumë mirë se kur shkoni për të pirë kafe, rrallëherë iu jepet kuponi. E dini shumë mirë se një pjesë e transaksioneve shmanget. Nuk do të shmanget dot më. Të gjitha këto janë përmirësimi i qeverisjes. Pensionistët e marrin akoma pensionin me zarf dhe na dalin grupe kriminale brenda postës dhe merrnin pjesë nga çdo zarf dhe për më tepër ato që shkojnë me korrier. Paguajnë korrier pafund, iu kujtohet që kemi pasur një aleat të vogël se tha që do bëhej aleat i PS dhe këta korrierët e Postës i kishte të vetët. Në 2024 ne pensionistëve ne do i japim kartën e tyre. Pensionin do e kenë në kartë, nuk do e preki askush.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Në Shqipëri zhvillohet një numër tenderash që është sa një bashki e mesme dhe numri i komisionerëve të tenderave në Shqipëri është sa numri i banorëve të një bashkie të mesme, pa ekzagjerim. Mijëra e mijëra e mijëra dhe proceset janë absolutisht arkaike, pavarësisht se ligji i prokurimeve ka avancuar dhe ne po punojmë.

E para, ne do t’i çojmë Parlamentit një projekt të ri për futjen e Inteligjencës Artificiale në prokurime dhe për ndryshimin e strukturës së prokurimeve, por ambicia është që brenda këtij mandati, nëse çdo gjë do të shkojë siç duhet, brenda këtij mandati ne të prezantojmë sistemin e prokurimeve me Inteligjencën Artificiale që do të thotë faktikisht, se do të prokurohet pa letra, do të prokurohet me procedura ku të gjithë konkurrentët nuk do kenë asnjë kontakt me asnjë lloj komisioneri, me asnjë lloj kryetari komisioni tenderi dhe ku çdokush që mund të jetë më sipër nuk do mund dot ta influencojë tenderin sepse të gjitha të dhënat e çdo kompanie do të merren nga Inteligjenca Artificiale, jo nga kompania dhe kompania thjesht do të sjellë projektin, kompania thjesht do të japë çmimin dhe do të presë rezultatin, asgjë tjetër dhe e gjitha kjo do të jetë transparente për të gjithë. Ashtu sikundër, Inteligjenca Artificiale do të bëjë dhe të gjithë pastrimin e procedurave përpara dhe të termave të referencës e të tjera, pwr tw mos u zgjatur.

Po ashtu, ne kemi hyrë në një proces i cili është më i vështiri pikërisht për atë që thashë më përpara, se mirë, dakord, qeveria, pushteti ekzekutiv bën modernizimin në gjithë sistemin e vet, por po sistemin gjyqësor kush e modernizon? Po Inteligjencën Artificiale në proceset gjyqësore kush e merr përsipër? Sistemi ynë gjyqësor ka një mentalitet aq të dobët, aq të vjetër saqë edhe tenderat për shërbimet e internetit mendon se janë të pavarura nga shteti, se janë të pavarura jo nga shteti, por janë të pavarura nga i gjithë sistemi shtetëror i të dhënave.

Ndërkohë që me Inteligjencën Artificiale ne mund të bëjmë një përshpejtim eksponencial të të gjitha proceseve, të të gjithë trajtimit të dosjeve, të të gjithë ngarkesave e kështu me radhë.

Një tjetër drejtim ku ne do të përdorim Inteligjencën Artificiale dhe do ta përdorim tani, tani që nga janari është ndjekja e evazionit në transaksionet financiare të të gjitha niveleve. Sistemi ynë i fiskalizimit të të gjithë biznesit ka nevojë për monitorim sepse ju e dini shumë mirë që kur shkoni për të pirë kafe, rrallëherë ju jepet kuponi.

Ashtu sikundër e dini shumë mirë që një pjesë të transaksioneve shmangen. Nuk do të mund të shmangen dot më dhe të gjitha këto janë luftë kundër korrupsionit, të gjitha këto janë përmirësim i cilësisë së qeverisjes në të gjitha nivelet.

Ashtu sikundër pensionistëve ne ju kemi borxhet më të mëdha, por pensionistët ne nuk na e kanë borxh një tjetër turp të Partisë Socialiste në qeveri, që akoma sot në vitin 2023 pensionet merren me zarf dhe pastaj dalin grupe kriminale brenda postës, siç ishte një grup diku lart, një grup tjetër andej poshtë, çfarë bëjnë? Grupe të organizuara brenda postës që merrnin pjesën e tyre nga çdo zarf pensionisti dhe për më tepër pastaj zarfet që shkojnë me korrier. Paguhen korrier pafund. Një sistem që, ju kujtohet, kemi pasur një aleat të vogël, e mbani mend? Kishim dikur një aleat të vogël që tha “Do bëhem më i madh se Partia Socialiste” dhe këta korrierët e postës i përdorte për partinë e vet dhe zarfet kur i shkonin pensionistëve i thoshte “Këto i ke nga pensioni”.

Në 2024, ne pensionistëve ne do tu japim kartën e tyre dhe do ta fillojmë tani projektin pilot dhe ne pensionistëve do tu japim kartën e tyre dhe pensioni i tyre do të jetë në bankë, nuk do ta prekë askush dhe kudo ata do të shkojnë do të përdorin kartën e tyre për të marrë ilaçet, për të pirë kafen, për të bërë ato pazare që bëjnë dhe kështu do ta shtrijmë për të gjithë.

Do të na mërziten bankat që u marrin njerëzve për çdo transaksion edhe gjithë rrogëtarëve që për çdo transaksion, për çdo shërbim u marrin atë “Tak”, si ai aleati ynë i vogël, nuk do ta marrin më, më vjen keq. Bankat tona kanë në ditët e sotme nivelin më të lartë të parave kesh në rezervë. Unë i kam kërkuar Ministrit të Financave që qeveria duhet të dalë me një propozim konkret për Parlamentin sepse bankat nuk duhet vetëm të fitojnë. Për të fituar janë bërë, por nuk duhet vetëm të fitojnë, duhet të mendojnë edhe sesi të fitojnë dhe të tjerët.

Nuk dua të zgjatem më tutje për Inteligjencën Artificiale që do të përdorim në diagnostikimet shëndetësore, për Inteligjencën Artificiale që do ta pilotojmë në Divjakë për bujqësinë sepse me Inteligjencën Artificiale për të cilën po punojmë, janë të gjitha projekte për të cilat po punojmë, ne do të bëjmë të mundur që përmes sensorëve, përmes dronëve dhe kamerave që do të instalohen nëpër fusha dhe sera, të informohen fermerët në kohë reale për sëmundjet, dëmet që i kanosen bimëve, kushtet e kultivimit, lagështinë, temperaturën dhe pastaj një sërë gjërash të tjera dhe me këtë model të inteligjencës artificiale, ne do të monitorojmë çdo metër katror të tokës bujqësore të Shqipërisë dhe do të bëjmë komplet transparencë për të gjitha subvencionet e shtetit, që nga subvencionet për naftën, deri tek subvencionet e tjera që të shkojnë aty ku toka punohet si dhe të gjithë investimet e shtetit për gjithë infrastrukturën e bujqësisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB