
TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka deklaruar këtë të mërkurë se mbështet Amnistinë Penale. Vendimi është marrë në mbledhjen e grupit të zhvilluar në selinë e PD, nën drejtimin e Gazment Bardhit. Por në deklaratën e shpërndarë për mediat, PD ka vënë dhe tre kushte për "kartonin jeshil". Sipas PD, në projektligjin aktual duhet të shtohen edhe protestuesit e opozitës të arrestuar gjatë protestave deri më datë 31 mars 2024.
Ndërkohë, ka propozuar përjashtimin nga amnistimi, qoftë sa i përket vuajtjes së dënimit, uljes së dënimit apo ndjekjes penale, i të gjithë funksionarëve të lartë të hetuar dhe/ose gjykuar nga SPAK apo që janë subjekt i deklarimit të pasurisë, si deputetë apo kryebashkiakë.
Në fundi grupi i PD, ka propozuar një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia, qoftë në drejtim të uljes së dënimit me 2 vite për gratë dhe 1.5 vite për burrat, qoftë në drejtim të datës së dënimit, fillimit të hetimeve apo kryerjes së veprës penale deri në 31 Mars 2024, nga 31 Janari 2024 qê parashikonte versioni aktual i projektligjit.

NJOFTIMI:
Grupi Parlamentar i PD mbështet amnistinë, dhe propozon:
1. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar që të përjashtohen nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale të gjithë personat e gjykuar apo hetuar për vepra penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të kryera deri në datën 31 Mars 2024, pavarësisht datës së regjistrimit të tyre.
2. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar përjashtimin nga amnistimi, qoftë sa i përket vuajtjes së dënimit, uljes së dënimit apo ndjekjes penale, të gjithë funksionarët e lartë të hetuar dhe/ose gjykuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion apo që janë subjekt i deklarimit të pasurisë, si deputetë apo kryebashkiakë.
3. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia, qoftë në drejtim të uljes së dënimit me 2 vite për gratë dhe 1.5 vite për burrat, qoftë në drejtim të datës së dënimit, fillimit të hetimeve apo kryerjes së veprës penale deri në 31 Mars 2024, nga 31 Janari 2024 qê parashikonte versioni aktual i projektligjit.
Amnistia Penale vijon të jetë “peng” i dialogut politik në Kuvend. Ndërsa kanë qenë të shumtë të burgosurit që kanë dërguar kërkesa në Kuvend që palët të lënë pas ndarsitë politike dhe të bien dakort për të. Nga drafti i Amnistisë Penale do të përfitojnë 700 të dënuar dhe 2500 persona që janë me shërbim prove./ZËRI