
TIRANË- Nuk ka zgjatur më shumë se 5 minuta mbledhja e sotme e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë. Sot, kur duhet të ishte mbledhja e tretë për punimet e Komisionit, socialistët kanë zgjedhur që të mos marrin pjesë në mbledhje. Në këto kushte, për shkak të mos plotësimit të kuorumit, opozita ka vendosur që të mos vazhdojë me punimet, duke njoftuar edhe një dalje për mediat për të sqaruar situatën. Në mbledhje, e cila nuk u transmetua live në faqen zyrtare të Kuvendit, Vokshi tha se socialistët ishin njoftuar për mbledhjen e sotme, por kanë vendosur që të mos marrin pjesë.
"Është njoftuar edhe në faqen e Kuvendit. Ka një përpjekje për të penguar zbardhjen dy prej aferave më të mëdha për Check-up dhe Sterilizimin. Dua të bëj me dije se mbledhja e sotme bazohet në rregulloren e Komisionit. E kam biseduar edhe me Plarent Ndrecën për punimet e këtij komisioni. Edhe sot siç e shihni janë vendet bosh të maxhorancës. Pavarësisht se maxhoranca po tenton që të pengojë punën e këtij komisioni duke përdorur trike, hile, pretekste të paqena duam që të njoftojmë publikun që mbledhja e ardhshme do të mbahet të premtën në orën 11.00. Kam marrë firmat e deputetëve të opozitës, sepse mjafton 1/4. Kam njoftuar edhe një deklaratë për shtyp,"- tha Vokshi.
MBLEDHJA ME VIDEO
Ndryshe pretendon pala e maxhorancës. Sipas tyre, kryetarja e Komisionit e caktoi datën e sotme pa u konsultuar me ta, ndaj edhe nuk kanë marrë pjesë në takim pasi s’kishte një vendim që të parashikonte mbledhjen e sotme.
“Trishtim i madh kur sheh kolegët e opozitës që mblidhen sipas qejfit, në mosrespekt të plotë të rregullave bazike të një organi kolegjial. Çdo vendimarrje është e Komisionit dhe jo e Kryetares se tij. Asnjë vendimarrja apo dakortësi nuk ka nga komisioni për mbledhje sot, pavarësisht se dje e kishim në rend dite, por u refuzua të shqyrtohet nga Kryetarja. Njoftimet e njëanshme dhe të pavotuara apo dakortësuara në komision, janë vijim i kulturës së mosnjohjes së proçedurave që i ka kthyer në parti “vulëhumbur”, që akoma, sot e kësaj dite, nuk po arrijnë ta gjejnë.”
Në deklaratën për mediat, Albana Vokshi njoftoi se ka mbledhur firmat e 7 deputetëve të opozitës, pra 1/4 e anëtarëve dhe sipas rregullores, kanë të drejtë të thërrasë mbledhjen. Si ajo, ashtu edhe deputetët e tjerë të opozitës hodhën akuza se mazhoranca po përpiqet që të bllokojë punën e komisionit.
Albana Vokshi: Shkelin me të dyja këmbët, në mënyrë flagrante, Kushtetutën, shkelin rregulloren e Kuvendit. Nuk mjaftohen me kaq. Shkelin edhe ligjet antikushtetuese që i kanë miratuar vetë në mënyrë të njëanshme. Mbledhja e sotme bazohet në rregulloren e Kuvendit, neni 32, pika 2, që përcakton se është Kryetari i komisionit që njofton mbledhjen e radhës së komisionit. E kam njoftuar këtë mbledhje, e kam njoftuar në fund të mbledhjes së djeshme, pasi mazhoranca refuzoi që të shqyrtonte kërkesat për informacion, sepse mendojnë se kështu do ta mbajnë peng punën e komisionit, do ta pengojnë zbardhjen e dy prej aferave më të mëdha në shëndetësi, atë të Check up dhe të Sterilizimit. Por, për një gjë i siguroj: ne, opozita, deputetët e opozitës, unë si kryetare, por edhe të gjithë kolegët e mi që janë këtu të pranishëm në këtë konferencë, i informojmë se jemi të vendosur, ne do t’i shkojmë deri në fund pavarësisht pengesave, pavarësisht trukeve, pavarësisht bojkotit, sepse është mazhoranca. Keni parë mazhorancë që bojkoton?! Që bojkoton mbledhjet e komisioneve parlamentare?! Nuk ndodh në asnjë vend të botës. E keni këtu, rastin e vetëm unikal në botë. Mazhoranca që bojkoton mbledhjet e komisioneve hetimore që kanë përparësi ndaj komisioneve të tjera edhe të përhershme!
Ina Zhupa: Gjithë kjo zvarritje është me tendencë që 4 muaj ikin shpejt dhe të bëjnë ç’të jetë mundur që ne mos të zbardhim informacion në kohë, të vonohet thirrja e dëshmitarëve, të vonohet mbledhja e provave të reja. Ajo që ne deputetët e kemi shprehur që kur kemi marrë është një përgjegjësi për ti shkuar kësaj afere deri në fund. Kësaj do ti qëndrojmë duke zbatuar çdo hapësirë që na jep rregullorja e Kuvendit, duhet thënë që është dakordësuar që ne do zbatojmë rregullorja e Kuvendit. Nuk mund të na i heqin as Ndreca, as përfaqësuesit e tjerë.
Petrit Vasili: Sot është data 3 dhe këta kanë djegur plot 2 javë. Në vend se të kishin urgjencën më të madhe, ata që janë në akuzë penale, popullore dhe politike për të treguar nëse kishin ndonjë mundësi për tu shfajësuar. Dy javë rresht pengojnë me çdo mjet një element bazik. Mbledhja e sotme ishte miratimi i kërkesave për informacion, kjo gjë i tremb se informacioni i kërkuar nga opozita është një skaner i vërtetë i asaj se ca ka ndodhur. Po përpiqen të bllokojnë në mënyra të tjera. Këtu keni njoftimin e bërë dje për mbledhjen dhe s’ka pasur asnjë koment nga rilindasit dhe krejt papritur vetëm sot paradite në orën 10 të mëngjesit është komunikuar që këta bojkotojnë. Këto janë fakte, e zeza mbi të bardhë për të kuptuar se ca roli të neveritshëm luajnë këta. Regjia e vetme e tyre është të pengojnë.
Saimir Korreshi: Që dielli u pa që në mëngjes që nga miratimi i ligjit të ri që do pengohej puna e komisionit, nuk kishim pikë dyshimi. Këtyre u ka hyrë uji nga SPAK, nuk kanë interes ta vazhdojnë, prandaj gjysma kanë ardhur në konflikt interesi. Pa pikë turpi, çohet në 11 nga gjumi ka parë ndonjë ëndërr dhe tha nuk e kemi miratuar, ndërkohë që aty ishim gjithë.
Dje, për shkak se një ditë më parë PS refuzoi të miratonte 12 kërkesat për informacione, Vokshi caktoi mbledhjen për sot, seancë në të cilën, opozita nuk mori pjesë. Takimi i parë për këtë Komision u mbajt më 25 mars, ndërsa deri në qershor deputetët do të hetojnë të gjitha procedurat në lidhje me Koncensionin e Sterilizimit dhe Check-up./ZËRI